Balla me eurodeputetët në Zvërnec: Projekti i Kushner do të përmbushë standardet e BE-së
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka vizituar sot Zvërnecin së bashku me eurodeputetët, në kuadër të vizitës së tyre në Shqipëri.
Balla tha se përfaqësuesit e qeverisë dhe agjencitë përgjegjëse i informuan për angazhimet mjedisore që lidhen me zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Sipas tij, këto angazhime synojnë të përmbushin ose të tejkalojnë kërkesat e Bashkimit Europian.
“Nga përfaqësuesit e Qeverisë, agjencitë përgjegjëse, u informuam se angazhimet mjedisore për zhvillimin e turizmit në këtë zonë synojnë të përmbushin ose të tejkalojnë kërkesat e Bashkimit Europian, duke dëshmuar se Shqipëria mund të tërheqë investime të standardeve të larta ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht standardet e qeverisjes që kërkon procesi i integrimit europian”, tha Balla.
Sa i përket projektit të Jared Kushner, Balla u shpreh se ai synon të shërbejë si shembull se si investimet e mëdha ndërkombëtare në Shqipëri mund të realizohen në përputhje me standardet europiane, duke ndërthurur investimin e përgjegjshëm me mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e vlerës për komunitetin dhe ekonominë vendase.
“Sa i përket PROJEKTIT, ai synon të shërbejë si shembull i mënyrës se si investimet e mëdha ndërkombëtare në Shqipëri mund të realizohen në përputhje me standardet europiane, duke ndërthurur investimin e përgjegjshëm, përgjegjshmërinë mjedisore dhe krijimin e vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase”, tha Balla.
Sipas Ballës, projekti po hartohet mbi parimin se vija bregdetare dhe ekosistemet natyrore të Shqipërisë përbëjnë pasuri që duhen mbrojtur, ndërsa një objektiv i rëndësishëm është që vlera ekonomike e krijuar nga investimi të mbetet në Shqipëri.
“U informuam se PROJEKTI po hartohet mbi parimin se vija bregdetare dhe ekosistemet natyrore të Shqipërisë përbëjnë pasuri që duhen mbrojtur, me angazhimin për të përmbushur ose tejkaluar standardet mjedisore të zbatueshme të Bashkimit Europian. Një objektiv qendror është garantimi që vlera ekonomike e krijuar nga investimi të mbetet dhe të gjenerojë përfitime në Shqipëri, përmes punësimit vendas, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së furnitorëve dhe bizneseve shqiptare, rritjes së turizmit dhe krijimit të aktivitetit ekonomik afatgjatë në rajonin e Vlorës”, tha Balla.
Ai tha se përfitimet synohet të realizohen përmes punësimit vendas, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së furnitorëve dhe bizneseve shqiptare, rritjes së turizmit dhe krijimit të aktivitetit ekonomik afatgjatë në rajonin e Vlorës.
Balla theksoi rëndësinë që i kushtohet sipërfaqeve të gjelbra dhe mbrojtjes e përmirësimit të karakterit natyror të zonës.




