Dyshohet për prishje të pazareve të drogës, 5 persona të maskuar si policë rrëmbejnë një burrë në mes të rrugës (VIDEO)

Pesë persona të maskuar dhe të veshur si policë dyshohet se kanë rrëmbyer një burrë në autostradën AP-7 në Spanjë. Ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 19:30.
Sipas mediave lokale, pesë persona të veshur me të zeza, me jelekë reflektues ku shkruhej “Policia” dhe me fytyrat e mbuluara, kanë nxjerrë një burrë, i cili kishte fytyrën të mbuluar me gjak, nga pjesa e pasme e një automjeti.
Më pas, ata e kanë detyruar të hipë në një tjetër automjet dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Momenti është filmuar nga disa dëshmitarë që ndodheshin pranë autostradës.
Viktima u gjet pak kohë më vonë shëndoshë e mirë. Deri tani nuk ka persona të arrestuar.
Policia katalanase po heton ngjarjen dhe dyshon se bëhet fjalë për hakmarrje mes personave të përfshirë në aktivitete kriminale.
Ministrja e Brendshme e Katalonjës, Núria Parlon, deklaroi se nga të dhënat e para dyshohet se bëhet fjalë për prishje të pazareve të drogës.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin motivin e ngjarjes dhe identitetin e personave që dyshohet se morën pjesë në rrëmbim.




