web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjobëvënia nga mediat dhe portalet anonime/ Nikolin Jaka: Po sulmohen dhe dëmtohen qëllimisht bizneset

22 Shtator 2026, 15:21, Aktualitet CNA

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës ngre alarmin për fenomenin e sulmeve dhe lajmeve të rreme nga faqe të paregjistruara, duke kërkuar identifikim të detyrueshëm të pronësisë dhe rrugë ligjore efektive për dëmshpërblim.

Fenomeni i lajmeve të rreme dhe portaleve anonime për të sulmuar apo gjobitur bizneset ka vënë në lëvizje institucionet dhe sipërmarrjen.

Në një bisedë për CNA TV, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, ka trajtuar në detaje këtë problematikë shqetësuese, duke u ndalur te dëmet që u shkaktohen kompanive dhe nevoja urgjente për transparencë e llogaridhënie ligjore.

Jaka ka deklaruar se nga informacionet që ka marrë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë ka dyshime shumë të forta për gjobëvënie.

Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, bizneset po raportojnë dëme të konsiderueshme nga informacione që i konsiderojnë të pavërteta dhe sulme që, sipas tyre, janë të qëllimshme.

“Nga informacionet që kemi marrë prej bizneseve, kemi dyshime shumë të forta për gjobëvënie. Bizneset raportojnë dëme të konsiderueshme nga informacione që i konsiderojnë të pavërteta dhe sulme që, sipas tyre, janë të qëllimshme”, tha Jaka për CNA.

Më tej, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë theksoi se problemi kryesor që ngrihet është mungesa e identifikimit të përgjegjësit.

“Problemi kryesor që ngremë është mungesa e identifikimit të përgjegjësit. Një faqe mund të ketë audiencë masive dhe të publikojë akuza ndaj një sipërmarrjeje, ndërsa biznesi nuk e ka të qartë kush e administron, kush vendos për publikimet dhe kujt duhet t’i drejtohet për dëmin e shkaktuar. Regjistrimi formal duhet kontrolluar rast pas rasti. Por për biznesin, pyetja është shumë konkrete: kush mban përgjegjësi për atë që publikohet?”, është shprehur ai për CNA.

I pyetur nëse Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është në dijeni nëse ka raste të gjobëvënies nga media ose portale anonime të paregjistruara, kreu tha për CNA se: “Jemi në dijeni të raportimeve të bizneseve që na japin arsye për dyshime shumë të forta për gjobëvënie indirekte. Ato pretendojnë sulme të qëllimshme dhe dëmtime nga informacione të pasakta.
Pikërisht natyra e dyshuar indirekte kërkon të shqyrtohen rrethanat dhe komunikimet që shoqërojnë publikimet, për të kuptuar nëse pas tyre qëndron presion për përfitime. Këtë duhet ta përcaktojë hetimi. Nuk po i paraqesim dyshimet si vendime gjyqësore. Po kërkojmë që biznesi të ketë mundësi të zbardhë kush qëndron pas një sulmi të pretenduar dhe të ndjekë rrugën ligjore për mbrojtjen e tij”. /CNA





Lajmet e fundit nga