Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Specialja, arkivat e Serbisë dhe Lugina, në fokus të takimit Kurti-Plenkoviq

Albin Kurti Andrej Plenkoviq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. 

Në një njoftim në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se në takim është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës.

Kurti u shpreh se me Plenkoviqin ka diskutuar edhe vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar, siç u shpreh ai, “asimetrinë e padrejtë të përgjegjësisë për luftën”.

Në takim është diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur dhe varrezave masive të zbuluara së fundmi në Kosovë, ndërsa Kurti ka ngritur shqetësimin për moshapjen e arkivave nga Serbia.

Një tjetër temë e diskutimit ka qenë, sipas Kurtit, “diskriminimi i vazhdueshëm administrativ” ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Edhe Kurti takon Plenkoviqin, theksohet nevoja për forcim të aleancave dhe koordinim politik Arbëri Kurti takon Plenkoviqin, theksohet nevoja për forcim të aleancave dhe koordinim politik

Kurti ka vlerësuar bashkëpunimin me Kroacinë në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake, si dhe mbështetjen e Zagrebit për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe integrimit euroatlantik.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ka përshëndetur bashkëpunimin ndërmjet ministrive të Drejtësisë të Kosovës dhe Kroacisë në rastin e Bajram Bajramit, shtetasit kosovar i cili u ndalua në Kroaci në bazë të një urdhërarresti të Serbisë dhe u lirua sot.