
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, kanë nënshkruar të martën një marrëveshje të re për sigurinë e Groenlandës, që parashikon zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishullin Arktik.
Marrëveshja u firmos në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pas muajsh tensionesh mes Uashingtonit dhe Kopenhagës lidhur me të ardhmen e Groenlandës.
Paketa e re e sigurisë nuk parashikon aneksimin apo blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara. Territori mbetet nën sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa marrëveshja synon të rrisë bashkëpunimin ushtarak dhe praninë amerikane në një prej zonave më strategjike të Arktikut.
Sipas raportimeve, marrëveshja parashikon forcimin e kapaciteteve ushtarake amerikane dhe përdorimin e zgjeruar të infrastrukturës ushtarake në Groenlandë. SHBA-ja ka aktualisht bazën hapësinore Pituffik, ndërsa marrëveshja e re lidhet edhe me zhvillimin dhe rikthimin në përdorim të instalimeve të tjera ushtarake.
Një nga objektivat kryesore të marrëveshjes është parandalimi i krijimit të pranisë ushtarake të vendeve jashtë NATO-s në Groenlandë, në një kohë kur Arktiku po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe strategjike për shkak të konkurrencës mes fuqive të mëdha.
Marrëveshja vjen pas deklaratave të përsëritura të Trump për interesin e SHBA-së për të marrë kontrollin e Groenlandës. Këto deklarata kishin shkaktuar tensione me Danimarkën dhe kundërshtime nga autoritetet groenlandeze.
Me marrëveshjen e re, Uashingtoni zgjeron bashkëpunimin dhe praninë e tij të sigurisë në ishull, ndërsa Danimarka dhe Groenlanda ruajnë sovranitetin dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullsisë groenlandeze./Versus.al

