AKTUALITET /

Nga informacionet sekrete tek makina kur ishte në arrati, zbulohen lidhjet mes kreut të SHISH dhe Ergys Agasit. Materialet sekrete u gjetën...

Sipas raportimeve, materiale me përmbajtje sekrete janë gjetur në banesën e Uljan Shpatarakut gjatë kontrolleve të kryera pas arrestimit të tij dhe të Ergys Agasit.

Shkruar nga Versus

Nga informacionet sekrete tek makina kur ishte në arrati, zbulohen lidhjet

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me hetimin e Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Sipas të dhënave të raportuara, Hyseni dyshohet për dy vepra penale, “nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit”.

Sa i përket akuzës për nxjerrjen e sekretit shtetëror, dyshohet se Hyseni i ka përcjellë Ergys Agasit informacione të klasifikuara. Sipas raportimeve, materiale me përmbajtje sekrete janë gjetur në banesën e Uljan Shpatarakut gjatë kontrolleve të kryera pas arrestimit të tij dhe të Ergys Agasit.

Në kuadër të të njëjtit hetim raportohet se materiale sekrete janë nxjerrë edhe nga zyrtari i policisë Fatjon Kalluci, i cili tashmë ndodhet i arrestuar. Kalluci kishte akses në informacionet e klasifikuara për shkak të detyrës së tij si shef i Laboratorit Shkencor të Policisë.

Ndërkohë, akuza e dytë, ajo e “përkrahjes së autorit të krimit”, lidhet sipas raportimeve me dyshimin se drejtuesja e SHISH ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ndodhej në arrati.

Në këtë kuadër janë rikthyer edhe pretendimet e bëra më herët nga avokati Arben Llangozi dhe përfaqësues të opozitës, sipas të cilëve Agasi, gjatë periudhës së arratisë, lëvizte me një automjet tip “Audi A8” që i përkiste Vlora Hysenit. Këto janë pretendime të raportuara dhe pjesë e çështjes që po hetohet.

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arrest ndaj Vlora Hysenit, por masa nuk është ekzekutuar, pasi ajo ndodhet jashtë Shqipërisë. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ajo është pezulluar nga detyra.

Hetimi vijon për të dokumentuar rrethanat dhe rolin e personave të përfshirë në çështje./Versus.al

Poll