AKTUALITET /

Ndërtoi 5 kate pa leje, Prokuroria sekuestron ‘Central Park Premium Hotel’ në Sarandë. Arrest në shtëpi për Kujtim Peposhin

Sipas autoriteteve, objektet janë ndërtuar dhe përdorur për shërbime hotelierie, me qëllim fitimi.

Shkruar nga Versus

Ndërtoi 5 kate pa leje, Prokuroria sekuestron ‘Central Park Premium

Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar “Central Park Premium Hotel” në Ksamil, në kuadër të një hetimi për ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

Sipas Prokurorisë, me kërkesë të organit të akuzës dhe vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është vendosur sekuestrimi i hotelit me pesë kate, për të cilat dyshohet se janë ndërtuar pa leje.

Gjithashtu, është sekuestruar edhe një objekt pranë hotelit, me një kat të ndërtuar pa leje, me sipërfaqe 52.2 metra katrorë.

Në kuadër të hetimeve, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Kujtim Peposhin, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Gjykata e Sarandës ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e “Central Park Premium Hotel”, një objekt 5-katësh, si dhe të një objekti 1-katësh pranë tij, të ndërtuara pa leje në lagjen nr. 2, rruga “Derolli”, Ksamil. Sipas autoriteteve, objektet janë ndërtuar dhe përdorur për shërbime hotelierie, me qëllim fitimi.

Procedurat janë kryer nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.

Gjatë procedurave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, autoritetet kanë konstatuar se hoteli ishte në funksion dhe në të ishin akomoduar pushues. Për këtë arsye, janë marrë masa paraprake për të vijuar procedurat pa cenuar situatën e krijuar nga prania e pushuesve në ambientet e hotelit.

Sipas njoftimit të autoriteteve, më 6 tetor 2026 do të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për ekzekutimin e plotë të vendimit të Gjykatës, përfshirë procedurat për sekuestrimin e objekteve.

Hetimet vijojnë për rastin e ndërtimit të paligjshëm të objekteve në Ksamil./Versus.al

Poll