
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka ndarë pamje dhe detaje nga Sesioni i 42-të i Trajnimit të Vazhdueshëm të Kapitullit Europian të FBINAA-së, i zhvilluar nga 19 deri më 23 shtator.
Në trajnim morën pjesë 235 profesionistë të zbatimit të ligjit nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada amerikane thekson rëndësinë e bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar.
“Kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet tona janë më të sigurta”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Sipas saj, FBINAA bashkon drejtues të lartë të strukturave ligjzbatuese, të trajnuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, me synim shkëmbimin e ekspertizës, forcimin e bashkëpunimit dhe luftën kundër krimit të organizuar përtej kufijve.
“Qëllimi ynë është i qartë: zbatim më i fortë i ligjit, siguri më e madhe dhe komunitete më të sigurta në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri”, thekson Ambasada amerikane.
Sesioni i trajnimit shërbeu si një tjetër forum për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e eksperiencave mes profesionistëve të zbatimit të ligjit nga SHBA-ja, Shqipëria dhe vendet europiane./Versus.al

