
Ndërkohë që opozita ka ngritur alarmin pas aksionit të SPAK që caktoi arrest shtëpiak për shefen e SHISH nën dyshimin se ka zbuluar akte sekrete duke ndihmuar Agasin dhe kontrolleve në banesën e ish-kryepolicit, Ilir Proda, PS e konsideron këtë si arsye për t’u krenuar.
“Duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet që funksionon”- u shpreh socialisti Bledi Çuçi gjatë mbledhjes së komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
“Institucionet nuk janë emrat e përvetshëm. Ato kanë strukturat dhe sistemet e veta. Përgjegjësia personale është e gjithkujt që merr përsipër të ushtrojë një funksion publik. Çdo person është i pafajshëm derisa të shpallet i fajshëm nga sistemi i drejtësisë. Unë mendoj që më shumë se kurrë, sot ne duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet që funksionon ku pushtetet brenda republikës janë krejtësisht të pavarura dhe balancojnë njëra-tjetrën, ajo që po ndodh sot me sistemin e drejtësisë, po ndodh vetëm falë vullnetit të kësaj mazhorance. Tregon një qëndrueshmëri të shtetit shqiptar dhe shyqyr ka ardhur kjo ditë. Të tjerat t’ia lëmë drejtësisë. Pa e zbardhur drejtësia plotësisht këtë gjë, ne nuk mund të flasim më shumë dhe të themi ndoshta gjëra që nuk qëndrojnë fare”- tha Çuçi. Versus.al


