Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe bimësia e thatë, u përhapën me shpejtësi në kodrat përreth parkut Arkeologjik të martën. Zjarri u afrua deri në zonën e kodrës së Akropolit, duke krijuar rrezik për përhapjen e flakëve drejt territorit të Parkut Arkeologjik.

Pavarësisht terrenit të vështirë dhe erës së fortë, flakët u vunë nën kontroll gjatë orëve të vona të mbrëmjes, duke shpëtuar monumentet.

"Sot jemi duke bërë invetarin e situatës. Fatmirësisht qendra monumentale, manastiri dhe muzeu arkeologjik kanë mbetur të paprekura nga flakët”, tha Ornela Dyrmishi, drejtoresha e Parkut Arkeologjik Apoloni, Ornela Dyrmishi.

Qendra monumentale, manastiri dhe muzeu arkeologjik kanë mbetur të paprekura nga flakët. Sistemi hidrant i instaluar në park ka luajtur rol vendimtar në neutralizimin e flakëve.

“Ishte ndihma kryesore që ndaloi zjarrin”, tha ajo.

Sot, një ditë pas zjarrit, në Apoloni janë rikthyer turistët e huaj, ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar autorin pasi dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Zjarri masiv në Gjirin e Lalëzit të Durësit, që nisi gjatë mbrëmjes së të martës, është shuar sot. Zjarrfikësit luftuan me flakët që ndodheshin pranë një kompleksi turistik, ndërsa pushuesit u evakuuan. Aktive mbetet vatra në pyllin e Bizës, ku për shkak të terrenit të vështirë është angazhuar dhe një helikopter.

Rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në dy vatrat në Apoloni dhe në Gjirin e Lalëzit.

Të dyja këto zjarre të fuqishme mbeten të pazbardhura, ndërsa Policia bën të ditur se ka zbardhur një tjetër rast në Shijak, ku është arrestuar autori i dyshuar. Ai kishte ndezur zjarr në tokën por u përhap në disa parcela. Po kështu, në Fier janë arrestuar dy banorë, mbi 60 vjeç, të dyshuar se kanë ndezur zjarre në fshatrat Ade dhe Kashisht. Nga zjarret janë dëmtuar pemë frutore dhe ullishte.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:09
Dy vatra zjarri në Durrës dhe Fier, Nufi: Ndërhyrja vijon në Gjirin e Lalëzit, Apolonia nën kontroll (VIDEO)

 

Rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacionet për shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Gjirin e Lalëzit dhe në Pojan, pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Në përditësimin e sotëm të situatës, Ministri Nufi njofton se ndërhyrja vijon në Gjirin e Lalëzit, ndërsa situata në Apoloni është nën kontroll.

Pranë zonës së Shën Pjetrit janë angazhuar 68 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 15 automjete zjarrfikëse nga bashkitë Durrës, Shijak, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Elbasan. Pas punës gjatë gjithë natës, në operacion është përfshirë edhe një helikopter, i cili po ndërhyn nga ajri në terrenin e vështirë kodrinor. Ekipet po punojnë për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pronave.

Në Pojan, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë monitorimin në terren. Sipas ministrit, situata pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë është nën kontroll dhe asnjë monument nuk është dëmtuar nga flakët. Për shuarjen e zjarrit u angazhua edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

P.J/Xh.K/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
5.0 / 5 (1 vlerësim)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 22 Shtator, 16:08

    Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika?