
Gjykata e Posaçme ka bërë publik kalendarin e seancave gjyqësore këtë të martë, ku bie në sy shqyrtimi i kërkesave për ndryshim mase sigurie, dhe jo vetëm, ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ish-kryebashkiakut Fredi Kokoneshi dhe disa eksponentëve të krimit.
Gjyqtari Erjon Çela ka drejtuar seancën në ngarkim të shtetasve Fredi Pandi Kokoneshi, Dorjan Fejzi Spaho, Andi Myfit Bullari dhe Ledio Nikolla Xharo. Ish-kryebashkiaku i Divjakës dhe tre vartësit e tij janë marrë zyrtarisht të pandehur nga SPAK në korrik të vitit 2026, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, sot është zhvilluar seanca e radhës edhe ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe 11 personave e shoqërive të akuzuara në dosjen e tij. Veliaj, Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë e subjekte tregtare akuzohen se kanë ngritur një skemë për përfitimin e parave shtetërore.
Gjykata e Posaçme ka shqyrtuar sot edhe masën e sigurisë për ish-drejtorin shqiptar të Bankers Petroleum, Leonidha Çobo, i cili akuzohet se bashkë me drejtuesit kinezë të kompanisë naftënxjerrëse, kanë fituar miliarda lekë nga tregtia e naftës dhe në shtet kanë deklaruar sikur kanë qenë me humbje.
Në ditët e para të Korrikut 2025, Prokuroria e Fierit urdhëroi një operacion të befasishëm në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum Albania”, duke lëshuar 14 masa sigurie për punonjësit.
Sot, janë zhvilluar seancat penale edhe për persona të tjerë, kryesisht eksponentë të lartë të krimit të organizuar, duke përfshirë Samet Loka, Laert Haxhiu, Erjon Rama, Talo Çela, Edmond Preka dhe të tjerë.
Bie në sy se në duart e gjyqtarit Erjon Çela ka qenë sot edhe dosja e një organizate kriminale që skllavëroi 24 të rinj ukrainas në Vlorë. Të pandehurit akuzohen si të dyshuar për grup kriminal dhe trafikim të personave të rritur, të kryer në kuadër të grupit kriminal.
Bëhet fjalë për shtetasit e huaj Nazar Juri Khamuilo, Mark Vladimir Petrenko, Karol Oskiera, Oleksander Tavorski, Marianna Syzareva, Oleh Igor Kulsha.
