Protesta në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së hyn sot në ditën e saj të shtatë, ku ashtu si prej një jave pritet që shqiptarët të bëhen sërish bashkë në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë për të kërkuar lirimin e katërshes. Ndërkohë, djali i Hashim Thaçit ka dalë me falenderim publik për mbështetjen në këto ditë të vështira.
“Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët, pa asnjë përjashtim, nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, që na kanë qëndruar pranë dhe nuk e kanë ndalur zërin e tyre as pas vendimit. Çdo mesazh, reagim dhe fjalë mbështetjeje në shesh, në rrjetet sociale dhe përtej tyre, ka qenë burim force për mua dhe familjen time. Mirënjohja jonë është e thellë dhe e sinqertë.
Në këtë moment të vështirë, mbështetja juaj na ndihmon të vazhdojmë me qetësi, dinjitet dhe besim duke shfrytëzuar çdo mundësi ligjore që drejtësia të vihet në vend. Vendimi mund të na ketë lënduar, por nuk na ka mposhtur. Beteja nuk ka mbaruar. Do të vazhdojmë me kokën lart deri në fund, të palëkundur në kërkimin e drejtësisë dhe të bindur se jemi në anën e duhur të historisë” shkruan Endrit Thaçi në reagimin e tij të bërë për “Ftesë në 5”.
Sakaq, bëhet me dije se mbrojtjet e ish-krerëve të UÇK-së kanë nisur këtë javë procedurat për apelimin e vendimit. Sipas raportimeve të bëra nga mediat vendase thuhet se avokatët kanë afat deri të premten, më 25 shtator, për të njoftuar gjykatën për pjesët e verdiktit që ata kundërshtojnë.
Mbrojtja ka bërë të ditur se verdikti përmban disa pika që do të kundërshtohen në Apel, veçanërisht ato që lidhen me përgjegjësinë për vrasjet dhe ndalimet e paligjshme, në rrethana kur ndërhyn një palë e tretë, në këtë rast NATO. Ndërkohë, mbrojtjet e viktimave thuhet se ka afat deri më 14 tetor për të paraqitur prova lidhur me dëmshpërblimet, ndërsa Prokuroria ka afat deri më 4 nëntor për të dorëzuar shkresat e saj.
Siç kemi raportuar dhe më parë, në seancën gjyqësore të mbajtur më 16 shtator në Gjykatën Speciale të Hagës, katër gjyqtarët e çështjes caktuan 81 vite burg në total për çlirimtarët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Një vendim ky i cili ngriti peshë shqiptarët anë e mbanë, të cilët prej një jave protestojnë në zemër të Prishtinës duke kërkuar lirinë e personave që çliruan Kosovën nga torturat e serbëve.

