Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Profili i paautorizuar i kryespiunes shqiptare, si mbërriti Vlora Hyseni në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (Botuar në 2023 në Revistën Newsbomb)

Shkruar nga Newsbomb
Profili i paautorizuar i kryespiunes shqiptare, si mbërriti Vlora Hyseni
Vlora Hyseni, botimi në 2023 nga Revista Newsbomb

Prej paradites së kësaj të marte shefja e Shërbimit Informativ Shtetërore, Vlora Hyseni është në qendër të vëmendjes pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme e akuzon atë për dy vepra penale, konkretisht për përkrahje të biznesmenit kontrovers Ergys Agasi,në sajë të të cilave ka kërkuar që ajo të lihet në arrest shtëpie.

Pas akuzave të ngritura ndaj shefes së SHISH-it, për të cilën dhe kryeministri Rama kërkoi shkarkimin e saj, newsbomb.al sjell një profil të detajuar të Vlora Hysenit, i cili është botuar në qershorin e 2023 në Revistën Newsbomb.

Nga Roland Qafoku

Vetëm pak kohë në drejtim të SHISH, opozita e bëri target duke e akuzuar për një vizitë të fshehtë në Beograd dhe bashkëpunëtore e Vuçiç për të spiunuar tek Putin, presidenti Rus. Përse u trazua shërbimi sekret shqiptar dhe sa të vërteta janë akuzat e ngritur nga Sali Berisha. Çfarë përfaqëson gruaja që qëndron mes Albin Kurtit - që e shkarkoi si Drejtore e Agjensisë së Kosovës për Inteligjencë - dhe Edi Ramës që e emëroi si drejtore të SHISH. Prapaskenat se kush qëndron pas këtyre sulmeve dhe mbështetja e plotë që ka nga SHBA.

Në kulmin e krizës në Veriun e Kosovës, një lajm më shumë se një skandal, qarkulloi në disa portale të Tiranës. Në pak minuta, i njëjti informacion u kthye në versionin zyrtar të Partisë Demokratike të Rithemelimit dhe kryetari i saj Sali Berisha publikoi një deklaratë më 31 maj në faqen e tij zyrtare në facebook duke e shoqëruar me titullin: “Vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, kërcënim për sigurinë e Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s”. Me etiketimin “konfidentja e Ramës”, në të Berisha shtonte se Hyseni ishte emëruar si urë lidhëse mes kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç për të bashkërenduar veprimtarinë kundër Kosovës duke shkuar deri në Rusi. Shkroi Berisha:

“Vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, po të kemi parasysh se ajo drejton Shërbimin Inteligjent të një vendi antar të NATO-s, është një ogur i keq për të gjithë informacionin e klasifikuar të NATO-s, i cili nëpërmjet Hysenit mund të përfundojë në duart e padronit të Edi Ramës, Putinit të Vogël dhe nga ai, në duart e Putinit të Madh”.

Lajmi dhe qëndrimi i Berishës ishin vërtetë në kufijtë ekstremë të një “tradhtie të madhe”, gati- gati si të kishim të bënin me spiunen e famshme të CIA-s, Ethel Rosenberg, e cila në vitet 50-të i shiste të dhëna KGB-së së Bashkimit Sovjetik. Kaq mjaftoi dhe faqja zyrtare e Berishës në facebook “mori flakë”. Disa komentues e besonin vërtetë këtë version dhe fantazia në ato që shkruanin ndjekësit e tij shkonte deri atje sa e krahasuan këtë vizitë me takimin e Fatos Nanos me Sllobodan Millosheviçin në Kretë në vitin 1997. Por, habia ishte se me 1002 likes, 111 komente dhe 46 shares, kjo histori me “poker spiunësh” nuk rezulton nga më të ndjekurit në faqen e Berishës. Megjithatë, PD e Rithemelimit nuk e la me kaq. Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, deputet, anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe ish-ministër i Brendshëm, shkoi edhe më tej teksa deklaroi se vizita e Hysenit në Beograd zgjati 10 ditë. Me anën e një letre publike ai i kërkoi presidentit Bajram Begaj informacione lidhur me inkursionin e drejtores së SHISH. Vetëm 24 orë më pas, me vlerën e një kombinati zjarrfikës, kryeministri Edi Rama e përgënjeshtroi lajmin me një stil për ta zhvlerësuar në maksimum. Tha Rama në “Opinion”:

“Natyrisht që nuk ka qenë. Nuk ka nevojë të tirret dhe të bëhet legjendë. Mjafton që të ngrinit telefonin dhe të bënit pyetje për të marrë edhe një përgjigje”

Përgënjeshtrimin e kryeministrit e konfirmojnë edhe disa zyrtarë në SHISH që e hedhin poshtë versionin se ajo ka qenë në Beograd me faktin e thjeshtë se Vlora Hyseni gjatë kësaj periudhe ka qenë vetëm në vendin e punës. Madje, me humor, një prej punonjësve shprehet se “vizita mund të jetë kryer vetëm nëse drejtoresha ka udhëtuar me anije kozmike përgjatë natës vajtje-ardhje”. Si për ti vënë kapak gjithë versionit tradhtar ambasadorja Yuri Kim e takoi personalisht Hysenin më 8 qershor në zyrën e saj në SHISH duke dhënë sinjale mbështetjeje pa lënë më të voglin dyshim dhe duke treguar se ajo është bashkëpunëtore e besueshme e SHBA. Fotoja e të dyja zonjave në hollin e godinës me logon e SHISH në dysheme, (tamam si logoja e CIA-s në hollin e godinës “George Bush Center for Intelligence” në Langley të Virginia-s), ishte si një kod që në gjuhën e spiunazhit përkthehet me fjalën “besueshmëri”. Ndërsa teksti për këtë takim në faqen e ambasadës në facebook nuk lë vend për asnjë interpretim negativ, për më tepër që u bë ditën kur kryeministri Edi Rama bëri publik një dokument për presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz të hartuar nga ekspertë amerikanë, për të zgjidhur krizën në Veri të Kosovës:

“Të dyja ranë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit të fortë SHBA-Shqipëri për sigurinë kombëtare dhe inteligjencën. Ambasadorja Kim shprehu gjithashtu mbështetjen për përpjekjet e reja për të siguruar që Shqipëria të jetë në gjendje të përballojë sfidat në mënyrë efektive”.

Po përse Paria Demokratike e Rithemelimit e vizaton Vlora Hysenin si tradhëtare të kombit shqiptar? Përse e cilëson antishqiptare, proserbe, të lidhur me njerëzit e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe një armike kombëtare? Përse e cilëson të lidhur me agjenturën serbe të BIA (Bezbednosno Informativna Agencija, Agjensia e Inteligjencës së Sigurisë) pikërisht ajo që është në krye të shërbimit sekret shqiptar SHISH? Dhe më e rëndësishmja, sa të vërteta janë faktet që paraqet opozita?

Eksperti i sigurisë Arjan Dyrmishi, dikur pjesë e shërbimit sekret shqiptar, ka një qasje ndryshe për këto akuza. I pyetur sa ekziston mundësia që drejtuesja e shërbimit sekret shqiptar të jetë pjesë e interferimeve me shërbime të tjera të vendeve jo mike si Serbia, thotë se kjo duhet parë në rrafshin politik dhe kulturor. Në cilësinë e drejtorit të Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Dyrmishi thotë se edhe gjatë regjimit komunist kishte të njëjtën qasje kur diktatori Hoxha për të dënuar dikë, si në rastin e shefit të shërbimit sekret Koçi Xoxe, përdorte akuza se ai ishte pjesë e shërbimeve të huaja, në atë rast, të Jugosllavisë. E njëjta gjë, sipas tij, ka ndodhur dhe vijon të ndodhë edhe gjatë pluralizmit.

Tha Dyrmishi për revistën “Neësbomb”:  

“Bashkim Gazidede u akzua si i lidhur me arabët. Fatos Klosi u akuzua si i lidhur me Milosheviçin. Visho Ajazi u akuzua si i lidhur me rusët dhe tani Vlora Hyseni u akuzua si e lidhur me shërbimin sekret serb. Këto akuza, edhe në rastin Hyseni, nuk qëndrojnë. Por për të delegjitimuar kundërshtarët, përdorimi i akuzave për shërbimet sekrete shkon deri në fantazi, sepse për vetë natyrën e shërbimeve sekrete që nuk japin informacion, janë më të lehta dhe më të përshtatshme për të manipuluar opinionin publik dhe njëkohësisht janë më të vështira për t’u verifikuar.”

Dyrmishi sqaron se ka edhe një nonses në aspektin teknik, sepse për të bashkëpunuar nuk ka nevojë të shkosh deri në Beograd, sepse mjetet dhe teknologjia e sotme nuk funksionojnë si në kohët e vjetra. Dhe kjo, sipas tij, është një arsye më shumë për të hedhur poshtë faktin që Vlora Hyseni të ketë qenë në Beograd.

Por në fakt, sapo u propozua nga kryeministri Edi Rama për drejtore e SHISH në mars të këtij viti, PD e ktheu në targetin kryesor Vlora Hysenin. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka deklaroi se kriteri numër një që Vlora Hyseni ka plotësuar është lidhja e saj me serbët. Aludimet dhe fantazitë shkojnë deri atje sa në komunitetin e gazetarëve janë hedhur “me stil” lajme se Hyseni ka lidhje familjare me serbë, për ta bërë sa më të besueshme këtë tezë. Nuk është çudi që një ditë këto “investigime” të përfundojnë në lajme të botuara siç ndodh rëndom pa verifikuar dhe me qëllime të mbrapshta.

Flamur Vezaj, një gazetar me nënshtetësi shqiptare dhe kosovare dhe që jeton prej disa vitesh në SHBA, një njohës shumë i mirë i çështjeve të sigurisë, e cilëson fare të pabesueshëm lajmin e publikuar nga Sali Berisha dhe se sipas tij Berisha bie preh e dezinformimeve të qytetarëve të ndryshëm dhe se në shumë raste nuk përdor filtër verifikimi. Për revistën “Neësbomb” Vezaj gjen lidhjen e qëndrimit të Berishës ndaj Vlora Hysenit.

Tha Vezaj për Neësbomb:

“Fakti që Berisha, mendon se emërimi i Vlora Hysenit është bërë me sugjerimin e Baton Haxhiut te Rama, lë të kuptohet se edhe ajo është në shërbim të Serbisë, akuza, të cilat Berisha i bën shpesh ndaj Haxhiut”.

Me fjalë të tjera, aludimi i Berishës është se Vlora Hyseni është njeriu i Thaçit të Kosovës në krye të shërbimit sekret të Shqipërisë. Por e gjithë kjo furtunë mund të shfryhet vetëm me një pyetje të thjeshtë: A do ta lejonte NATO dhe shërbimet sekrete amerikane që një vend si Shqipëria të kishte në krye të shërbimit sekret një njeri të Serbisë?

Më 22 maj Vlora Hyseni shënoi daljen e saj të parë publike që nga marrja e detyrës si drejtore e SHISH. Dhe ishte pikërisht kjo ditë për të cilën Berisha bënte fjalë se ajo ishte në Beograd. Në pamjet live të transmetuara pothuajse nga të gjitha stacionet televizive të Tiranës nga sheshi “Nënë Tereza”, kamerat fiksuan Hysenin duke qenë prezente në ceremoninë e hapjes së stërvitjes së NATO-s “Defender Europe 2023”. E veshur me një fustan të zi maksi, me një tualet dhe të kuq të lehtë buzësh si dhe me syze të zeza, më shumë për të fshehur sado pak imazhin, se sa për tu ruajtur nga dielli, Vlora Hyseni u shfaq në krah të ambasadores amerikane Yuri Kim duke treguar edhe njëherë se SHBA janë dhe mbeten mbështetësi i saj kryesor. Ndërkohë, imazhet bënë xhiron e ditës në televizionet shqiptare dhe në rrjetet sociale kur në një moment ajo qëndroi disa minuta me kryeministrin Rama duke biseduar. Po për çfarë biseduan? Sigurisht që tema nuk ka qenë për motin e asaj dite. Një kryeministër me shefen e shërbimit sekret flet vetëm për sekrete.

KRYESPIUNIA E KOSOVËS

QË U BË KRYESPIUNIA E SHQIPËRISË

Kur mori detyrën më 4 prill si drejtore e SHISH Vlora Hyseni ishte e përgatitur se do e drejtonte këtë institucion në marrëdhënien më të nderë mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëdhëniet mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti kishin kapur fundin dhe dy shtete shqiptare, as jepnin, e as merrnin informacion. Njëri kryeministër e kishte shkarkur si drejtuese e shërbimit sekret dhe një tjetër e emëroi po shefe e shërbimit sekret. Të gjitha debatet apo hamendësimet lidhen me një fakt. Nga vendimet e para që Albin Kurti mori sapo u bë kryeministër për herë të dytë ishte shkarkimi dhe largimi ky shërbim Vlora Hysenit si drejtore e Agjensisë së Kosovës për Inteligjencë. Edhe pse kishte një karrierë të gjatë në strukturat e shërbimit sekret dhe vetëm 4 muaj si drejtore, më 30 qeshor 2021 ajo mori në dorë vendimin për t’u larguar nga kjo detyrë dhe nga shërbimi. Dukej që në ajër që shkarkimi kishte një mllef, sepse urdhri i shoqërohej edhe me një listë të materialeve që duhet të dorëzonte dhe bashkë me të edhe një listë me sekretet që duhet të ruante. Ishte një lloj kërcënimi teksa shkruhej:

“Znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht se si i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.

Por vetëm 3 muaj nga ky shkarkim, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama firmosi emërimin e saj si këshilltare për Sigurinë, një lëvizje e denjë për përplasje spiunësh. Dhe kjo ndodhte në kulmin e një përplasjeje mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti. Kishte nisur era e debateve. Rama nuk binte dakord për shumë çështje që nisnin nga Ballkani i Hapur e deri tek raportet me Serbinë.

Gazetari Flamur Vezaj shkon më tej në përlasjet e Ramës me Kurtin:

“Ky emërim, përveç simbolikës që ka se është nga Kosova dhe Rama e ka përdorur edhe raste tjera, mendoj se ka të bëjë edhe me njëfarë rivaliteti apo karshillëku ndaj Kurtit pasi me propozim të këtij të fundit, presidentja e Kosovës e liroi nga detyra. Dhe ta mendosh që Rama tha se ka pas njohje rastësore me të, por në Kosovë ajo luante rolin zëvendëskryetares për disa kohë dhe ishte personi pergjegjës për kontaktet me shërbimet e tjera, të cilët për arsye të punës detyroheshin të mbanin kontakte”.

Kështu, Rama shfrytëzoi gjithashtu edhe një klauzolë vërtetë interesante. Jo vetëm certifikimi, por shërbimet inteligjete amerikane e vlerësonin Hysenin si njeriun e saj të besuar, ndaj për Ramën ishte një bonus. Shpërthimi i skandalit McGonigal ishte edhe një arsye më shumë që kryeministri i Shqipërisë të forconte pozitat në sytë e amerikanëve. Dhe me lëvizjen e madhe mund ta shtonte besueshmërinë. Në mars të këtij viti ai e propozoi Vlora Hysenin në krye të SHISH dhe kjo ishte jo vetëm një lëvizje e papritur, por u shoqërua me komente dhe deklarata nga më të ndryshme. Nuk ishte parë e dëgjuar më parë në botë që kreu i shërbimit sekret të një shteti, të emërohej shef i shërbimit sekret të një shteti tjetër. Por Rama, tashmë me një përvojë të madhe dhe shumë më lart se pritshmëritë, arriti të vendoste “shah mat” të gjithë ata që vlerësonin Hysenin si pro amerikane me tepri dhe veten e vet në pozita të lëkundura për shkak të skandalit me Charles McGonigal. Dhe ia doli. 

VLORA, NGA PRISHTINA NË TIRANË

Kryespiunia e Shqipërisë me emrin ekzotik Vlora ka pak të dhëna publike. Juristja që mbaroi shkëlqyer studimet në Prishtinë ka marrë një diplomë Master Shkencor dhe studime të avancuara për marrdhënie ndërkombëtare. Interesant është fakti që Vlora Hyseni është edhe e para grua në krye të SHISH dhe në të gjithë historinë e shërbimit sekret shqiptar. Ishte kryeministri Rama ai që theu një tabu në këtë drejtim. Me moton “gruaja në vendimmarje”, në fakt Rama ka thyer edhe më parë shumë tabu. Rama ishte i pari që emëroi një grua ministre të Mbrojtjes si Mimi Kodheli në 2013. Ishte i pari gjithashtu që shënoi rekordin me më shumë gra ministre në kabinet duke arritur aktualisht në rekordin botëror me 8 gra me 3 burra. Dhe që nga 3 prilli i këtij viti ishte Rama që emëroi në krye të SHISH një grua. Tashmë, me një përvojë prej 13 vjetësh në fushën e sekreteve, Vlora Hyseni ka gjithë potencialin dhe përvojën për të bërë gjëra të mira për kombin, pavarësisht stërkëmbëshave të politikës.

Ka edhe një detaj tjetër interesant. Vlora Hyseni nuk është e vetmja grua në kupolën drejtuese të SHISH. Bashkë me të është edhe Suela Bedeni si inspektore e Përgjithshme e këtij institucioni. Me pozitën e tretë më të rëndësishme pas drejtoreshës Hyseni dhe nëndrejtorit Oljan Kanushi, Bedeni zbut sadopak atë imazh që ka për SHISH. Ndoshta gratë i menaxhojnë më mirë sekretet e shtetit.

Profili i paautorizuar i kryespiunes shqiptare, si mbërriti Vlora Hyseni
 
Profili i paautorizuar i kryespiunes shqiptare, si mbërriti Vlora Hyseni
 
Profili i paautorizuar i kryespiunes shqiptare, si mbërriti Vlora Hyseni
 
Profili i paautorizuar i kryespiunes shqiptare, si mbërriti Vlora Hyseni
 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese