Momente paniku janë shënuar pasditen e së martës në një bllok pallatesh 11-katëshe në qytetin e Lushnjes, pasi tymi i dendur që dilte nga kati i nëndheshëm ngriti alarmin te banorët për një zjarr të mundshëm brenda kompleksit të banimit.
Fillimisht u dyshua se flakët kishin përfshirë ndërtesën, por nga verifikimet e kryera rezultoi se zjarri kishte rënë fillimisht jashtë pallatit, ku po digjeshin mbeturina.
Më pas, flakët janë përhapur në ambientet e garazhit të nëndheshëm, duke djegur mbetje që ndodheshin aty.
Me të parë tymin e dendur, banorët braktisën me shpejtësi banesat e tyre. Pas alarmit, u bë e mundur largimi në kohë i të gjitha mjeteve të parkuara në garazh.
Ndërhyrja e forcave të policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur izolimin dhe fikjen e plotë të vatrës së zjarrit.














