Gazetari Armand Shkullaku ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa “arrest në shtëpi”.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Shkullaku tha se akuzat dhe rastet e bëra publike duhet të provohen përmes procesit gjyqësor, por sipas tij, ato nuk mund të trajtohen si ngjarje të izoluara nga njëra-tjetra.
Në analizën e tij, gazetari foli për situatën e institucioneve shqiptare dhe ngriti pretendimin se krimi i organizuar ka arritur të depërtojë në struktura shtetërore. Sipas tij, një situatë e tillë e tejkalon përplasjen tradicionale mes mazhorancës dhe opozitës.
Shkullaku argumentoi se, nëse pretendimet për ndikimin e grupeve kriminale në institucionet shtetërore do të provohen, kjo do të kishte pasoja edhe për mënyrën se si zhvillohet procesi zgjedhor në vend.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si opozita po fokusohet aktualisht te çështje të tjera politike, duke thënë se pas zhvillimeve të fundit duhet të ketë një reagim të koordinuar me protestuesit që ndodhen në shesh.
“Rastet duhet t’i vërtetojë drejtësia, pastaj flasim”, u shpreh Shkullaku, duke kundërshtuar trajtimin e tyre si episode të shkëputura.
Më tej, gazetari e lidhi situatën me mënyrën se si është funksionuar pushteti gjatë viteve të fundit. Ai akuzoi qeverinë për krijimin e një pushteti që e cilësoi “mafioz”, ndërsa pretendoi se në konsolidimin e tij kanë ndikuar edhe aktorë të huaj, përfshirë diplomatë dhe përfaqësues të shteteve të tjera.
Shkullaku u ndal veçanërisht te opozita, duke argumentuar se në kushtet e një krize të institucioneve, debati për zgjedhjet lokale, ndarjen territoriale apo ndryshimet ligjore nuk duhet të jetë në qendër të vëmendjes së saj.
Sipas tij, opozita duhet të fokusohet te situata institucionale dhe të bashkërendojë qëndrimet me protestuesit.
“Nuk mund të bëhen më zgjedhje në Shqipëri kur është e vërtetuar botërisht që çdo institucion kontrollohet nga krimi i organizuar”, deklaroi Shkullaku, duke theksuar se, sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me kryeministrin, por me kontrollin që ai pretendon se grupet kriminale ushtrojnë mbi institucionet.














