
Rasti i Granit Xhakës për certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 ka marrë një tjetër kthesë, pasi mjekja që lëshoi dokumentin për kapitenin e Kombëtares së Zvicrës ka deklaruar se ajo e ka vaksinuar futbollistin në mënyrë të rregullt.
Andrea L, mjekja që i ka lëshuar Xhakës certifikatën e diskutueshme, ka folur për Blick dhe ka insistuar se vaksinimi ka ndodhur realisht.
“E kam vaksinuar Xhakën siç duhet”, deklaroi ajo.
Të premten, Blick raportoi se ndaj Xhakës është nisur një procedurë penale. Futbollisti dyshohet se në vitin 2022 kishte siguruar një certifikatë të rreme të vaksinimit kundër COVID-19. Hetimi lidhet me dyshimet për falsifikim dhe me pyetjen nëse Xhaka e kishte siguruar në mënyrë mashtruese një dokument të tillë.
Fillimisht, rrethi i Xhakës i kishte mohuar akuzat. Zëdhënësi i tij, Andreas Bantel, kishte deklaruar se lojtari kishte konfirmim nga mjeku i tij se e kishte marrë dozën e parë të vaksinës më 25 janar 2022 dhe të dytën më 11 nëntor të po atij viti. Më vonë, Bantel e korrigjoi datën e dozës së dytë në 8 nëntor.
Por të hënën, Xhaka bëri një deklaratë befasuese duke pranuar se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi.
“Ndihesha thellësisht mosbesues ndaj vaksinës dhe isha i pushtuar nga frika dhe pasiguria. Në atë gjendje emocionale, mora një certifikatë vaksinimi në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia përmes kanaleve të duhura. Sot e shoh qartë se kjo ishte rruga e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq”, kishte thënë Xhaka i cili rrezikon deri në 5 vite burg në rast se akuzat ndaj tij provohen. Versus.al

