
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.
Në fokus të takimit ishin prioritetet e sistemit të prokurorisë në Shqipëri, llogaridhënia institucionale, pavarësia dhe efektiviteti i institucioneve, si dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi.
Përmes një reagimi pas takimit, ambasadorja Moreira de Sousa theksoi rëndësinë e forcimit të sistemit të drejtësisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Një sistem i fortë drejtësie është thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit tim me Mirela Bogdanin, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, diskutuam mbi prioritetet kryesore të sistemit të prokurorisë në Shqipëri, përfshirë llogaridhënien institucionale dhe vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi”, deklaroi ambasadorja e BE-së.
Moreira de Sousa nënvizoi gjithashtu se Bashkimi Evropian do të vijojë mbështetjen për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, duke e lidhur forcimin e tyre edhe me rritjen e besimit të qytetarëve te sistemi.
“Theksova se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë institucione të drejtësisë të forta, të përgjegjshme, të pavarura dhe efektive, duke kontribuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe në forcimin e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë”, u shpreh ajo./Versus.al

