
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka akuzuar Izraelin për shkelje të sovranitetit të vendit dhe ka kërkuar tërheqjen e forcave izraelite nga territori sirian, deri në vijat e përcaktuara në Marrëveshjen e Shkëputjes së Forcave të vitit 1974.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, al-Sharaa tha se Izraeli ka kryer rreth 500 sulme ajrore dhe artilerie, si dhe më shumë se 1,200 inkursione në Siri që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad, në dhjetor 2024.
Sipas presidentit sirian, rreth 300 persona janë ndaluar gjatë kësaj periudhe.
“Veprimet e Izraelit janë të ngjashme me një epokë që mendonim se kishte kaluar prej kohësh”, deklaroi al-Sharaa.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes së vitit 1974. Kërkojmë tërheqjen e forcave izraelite në vijat e 8 dhjetorit 2024”, shtoi ai.
Tensionet mes Sirisë dhe Izraelit janë përshkallëzuar që prej rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit. Izraeli ka zgjeruar operacionet ushtarake në jug të Sirisë dhe ka zhvendosur forca përtej vijave të mëparshme të ndarjes.
Al-Sharaa përsëriti gjithashtu pretendimin e Sirisë mbi Lartësitë e Golanit, duke kundërshtuar përpjekjet e Izraelit për, sipas tij, “të imponuar një realitet të kryer në Siri”.
Ai deklaroi se çdo masë për aneksimin e Golanit është e pavlefshme sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara./Versus.al

