Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, është ndaluar në pikën kufitare të Morinës, pas kthimit nga Kosova.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat në Kosovë, ndërsa “Kanal10” raporton, duke iu referuar burimeve të saj, se Hyseni ka qëndruar gjatë ditës në Kosovë dhe më pas është paraqitur në pikën kufitare të Morinës, ku është ndaluar nga autoritetet shqiptare.
Ndalimi i saj vjen në një kohë kur ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it janë ndërmarrë zhvillime të reja procedurale.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte vendosur ta lironte Vlora Hysenin nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Vendimi u bë publik disa orë pasi u raportua se Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar pezullimin e saj nga detyra dhe vendosjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Zhvillimet lidhur me çështjen janë ende në proces dhe pritet që autoritetet të japin më shumë detaje mbi masën e marrë ndaj Hysenit dhe procedurat që do të ndiqen në vijim.


