Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka përfunduar fazën e aplikimeve për 40 pozicione të lira për hetues, me 979 kandidatë që kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e institucionit.
Sipas njoftimit të BKH-së, në përfundim të afatit të përcaktuar në njoftimin publik, janë regjistruar gjithsej 979 aplikime për pjesëmarrje në procedurën e konkurrimit.
BKH ka vlerësuar interesin e treguar nga kandidatët dhe i ka falënderuar të gjithë aplikantët për pjesëmarrjen në këtë proces.
Me mbylljen e fazës së aplikimeve, procedura do të vijojë me verifikimin paraprak të aplikimeve dhe dokumentacionit të dorëzuar, në përputhje me kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, Rregulloren për përcaktimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve të BKH-së, si dhe njoftimin për hapjen e procedurës së konkurrimit.
Pas përfundimit të verifikimit paraprak, kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara do të kualifikohen për të vijuar fazat e mëtejshme të procesit të rekrutimit.
Këto faza përfshijnë testimet dhe vlerësimet përkatëse, si dhe procedurat e verifikimit të integritetit dhe kushteve të sigurisë, të parashikuara në rregullore. Kalimi nga një fazë në tjetrën do të bëhet vetëm pas përmbushjes së kritereve dhe standardeve të përcaktuara për secilën fazë.
Aplikantët do të njoftohen për rezultatet e verifikimit paraprak, si dhe për datën, orën, vendin dhe mënyrën e zhvillimit të fazave pasuese, përmes kanaleve të komunikimit të përcaktuara në dokumentacionin e procedurës.
Byroja Kombëtare e Hetimit deklaron se është e angazhuar për zhvillimin e një procesi rekrutimi transparent, të paanshëm dhe konkurrues, të bazuar në meritë, integritet dhe aftësi profesionale, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë aplikantët.


