Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit, ndërsa përhapja e flakëve është favorizuar edhe nga era e fortë.
Strukturat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës dhe shërbimet e emergjencave kanë ndërhyrë menjëherë në terren dhe prej disa orësh po vijojnë operacionin për vënien nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Për shkak të rrezikut dhe me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve, është kryer evakuimi i plotë i personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së përfshirë nga zjarri.
Në operacion janë angazhuar forca dhe mjete të shumta nga disa bashki dhe institucione në nivel rajonal e kombëtar. Konkretisht, nga Bashkia Durrës janë vënë në dispozicion katër mjete zjarrfikëse dhe një autobot, ndërsa ndërmarrjet e Bashkisë Durrës kanë angazhuar tre autobote mbështetëse.
Në terren ndodhen gjithashtu dy mjete zjarrfikëse dhe një autobot nga Bashkia Tiranë, një mjet zjarrfikës nga Bashkia Shijak, një nga Bashkia Kavajë dhe një tjetër nga Bashkia Kamëz.
Në mbështetje të operacionit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka angazhuar tre mjete zjarrfikëse dhe 40 forca, të cilat janë nisur drejt zonës së prekur.
Operacioni vijon të jetë i vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të flakëve, ndërsa ekipet në terren po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.
Bashkia Durrës, në koordinim me Ministrinë e Brendshme, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe shërbimet e emergjencës, po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe ka mbajtur në gatishmëri të plotë kapacitetet e saj deri në normalizimin e situatës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve që ndodhen në zonë të ndjekin udhëzimet e forcave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonës së prekur nga zjarri.


