Kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë Maks Haxhia ka mbajtur sot më 23 shtator një konferencë për mediat, në lidhje me gjobat e GJKKO-së për avokatët që kanë bojkotuar seancat, pas rregullores së re.
Haxhia u shpreh se për këtë problem i janë drejtuar edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, por se nuk kanë pasur asnjë përgjigje nga ky institucion.
Theksoi se gjobat e vendosura nga GJKKO-ja do të ankimohen, ndërsa qetësoi avokatët, duke thënë se edhe sikur gjobat të mbeten në fuqi, ato do të mbulohen nga Dhoma e Avokatisë.
“I jemi drejtuar edhe KLGJ-së për këtë problem dhe nuk ka pasur asnjë përgjigje.
Ne duam që drejtësia të ecë përpara, që të zgjidhen problemet e individëve në Republikën e Shqipërisë. OSBE na ka dalë në mbrojtje. Edhe ndaj këtij reagimi, sërish nuk ka pasur një reagim nga ana e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion
Gjobat ne do i ankimojmë. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet e drejtësisë për gjobat që na kanë vendosur. Nuk mund të prevalojë një rregullore, që nuk është për ne. Është një rregullore, që nuk përshtatet me ligjin. Edhe në rast se gjobat qëndrojnë, do i mbulojë Dhoma e Avokatisë. Ne do e ndjekim situatën nga ana ligjore“, tha Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë.
Kujtojmë se avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore, pas rregullores së re të GJKKO-së, që ndalon celularët në gjyqe për palën mbrojtëse dhe gazetarët. Pas bojkotit, Gjykata e Posaçme është përgjigjur, duke “u hakmarrë” e duke vendosur gjoba për avokatët.
Edhe pse avokatët dhe shoqatat e gazetarëve shprehen se ndalimi i celularëve në seanca është një praktikë e gabuar, GJKKO deklaron se i qëndron kësaj rregulloreje.