Salvatore alias Shpëtim Aliu, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare është arrestuar në Rusi.Shpëtim Aliu është konsideruar nga SPAK si një prej figurave kyçe të një rrjeti të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Raportohet se Aliu ishte personi që ka luajtur një rol universal në gjithë skemën e trafikimit të lëndës narkotike, duke shërbyer si hallka furnitore. Ai ishte figura qendrore që furnizonte me kokainë grupet e Shpëtim Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Armando Pacanit.
Në njoftimin zyrtar SPAK, thekson se në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë. Gjatë hetimeve janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.
“Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë:Shpëtim Aliu, 51 vjeç, i kapur në Rusi. Për të, në qershor të vitit 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, njofton policia.
I dyti është Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.
“Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qendrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre”, sqaron policia.