Filmimet në zyrën e Ergys Agasit po konsiderohen si një ‘minierë ari’ në duart e SPAK jo vetëm për zbardhjen e disa abuzimeve të dyshuara me pasuritë publike, por edhe për skanimin e mënyrës së funksionimit të shtetit, duke nisur që nga Shërbimi Informativ Shtetëror, institucion kyç për sigurinë kombëtare. Zyra e tij ishte kthyer si një kryeministri paralele, më efikase dhe e aksesueshme se sa zyra e shefit të qeverisë, ku merrnin zgjidhje disa nga hallet dhe problemet në raport me shtetin.
Gjatë paraqitjes para gjykatës dy ditë më parë, Ergys Agasi ka pranuar se ka pasur takime me ministra dhe drejtues institucionesh, por ka mohuar kategorikisht se ato kanë qenë të lidhura me korrupsion. “Kam takuar ministra e drejtorë, por më provoni që kam bërë korrupsion”, mësohet të jetë shprehur biznesmeni para gjykatës.
Drejtuesja e SHISH-it Vora Hyseni dhe ish drejtoresha e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karçanaj janë vetëm disa nga zonjat që frekuentonin zyrën e famshme të Gys Agasit, të cilat SPAK i akuzon edhe për veprimtari të paligjshme. Zyrën e Gys Agasit mësohet se e kanë vizituar shpesh edhe disa zonja të Partisë Demokratike, anëtare të strukturave të larta drejtuese të PD-së, kandidate për deputete dhe ish deputete të kësaj partie.
Një zonjë shumë pranë Berishës, të cilin madje e kundron me aq ëmbëlsi, në një rast është ndeshur me gazetarin e Familjes Berisha në derën e zyrës së Gys Agasit, ajo duke hyrë dhe ai duke dalë. Në derën e zyrës në ish Bllok ka hyrë dhe ka dalë shpesh, përpos të tjerave, edhe një ish deputete e PD-së, e cila më pas nisi të shfaqej me një makinë me vlerë 70 mijë euro.
Rrëfimet që përputhen me pamjet filmike tregojnë zonja dhe zonjusha të PD-së, të cilat shtriheshin në kolltuk para Gys Agasit siç u shtri Muç Nano në zyrën e Edi Ramës kur i kërkoi këtij të fundit t’a bënte ambasador në Zvicër pasi i ishte mërzitur jeta në Tiranë. Gjithashtu, të paktën tetë deputetë të PD-së besohet se janë diktuar dhe kanë dalë nga zyra e Gys Agasit, ndërsa numri i kandidatëve në lista është më i lartë.
Ndërkaq, vizitat e drejtorëve, deputetëve dhe ish ministrave të PS-së në zyrën e Agasit ishin të zakonshme. Një ish drejtoreshë e rëndësishme, kur kishte telashe me SPAK-un, e kishte zyrën si ngushëllim, ku shfaqej, qante dhe dilte me një çehre më optimiste. Zyra e Gys Agasit është frekuentuar edhe nga analistë, gazetarë, diplomatë, biznesmenë etj. Siç edhe pretendon vetë Agasi, në shumicën e takimeve nuk ka asgjë të paligjshme.
Pjesa më e sikletshme e pamjeve filmike për SPAK-un është shfaqja e disa njerëzve të drejtësisë në zyrën e Gys Agasit. Sipas burimeve, zyra e Agasit është vizituar edhe nga nga dy prokurorë të SPAK-ut, ndërsa frekuentimi nga disa gjyqtare dhe prokurore ka qenë i zakonshëm. Madje, për të treguar se në këto takime nuk ka pasur asgjë të paligjshme, Agasi, gjatë marrjes në pyetje, ka kërkuar që të shfaqen edhe pamjet filmike të prokurorëve të SPAK-ut në zyrën e tij.
Fuqia e Gys Agasit nuk ishte aspak legjendë urbane. Ai kishte ndikim të fortë në disa degë kyçe të shtetit. Kjo fuqi tashmë besohet se ka kaluar në duart e një tjetër personazhi. Ai quhet Ron Yeffet, i konsideruar si ‘Fazlliçi’ i pushtetit aktual, i lakuar për seri mashtrimi me pasoja të tënda, në kërkim dhe non grata nga Afrika deri në Izrael (vendin e tij). Duke përdorur kredencialet e Ramës, Ron Yeffet hap çdo zyrë shteti, para tij raporton çdo ministër dhe drejtor, ndërsa takimet i zhvillon kryesisht në vilat qeveritare, i ruajtur nga Garda e Republikës.
Nuk është biznesmen. Nuk prodhon asgjë, përpos se trafikut të influencave dhe kthimit të lidhjeve dhe ndikimit në kontrata, aksione dhe para. Vetëm me Timak, ka arritur të marrë deri më tani 34 milionë euro, pa bërë asgjë dhe duke manipuluar bilancet për devijimin e parave në rrugën e xhepave pa kthim. Siç e tha edhe në përgjime, mediat do flasin dhe zhurmë do ketë, por fokusi do të jetë objektivi, ku tashmë në shenjestër janë sektorë si shëndetësia, arsimi, uji dhe sidomos nafta.
Dosja e AKSHI-t po zgjerohet dhe, bashkë me të, po shtohen edhe emrat e zyrtarëve të lartë që kanë pasur role në institucione kyçe. Në këtë histori shfaqen Vlora Hyseni, Mirlinda Karçanaj dhe Dallëndyshe Bici, tre gra që kanë drejtuar institucione të rëndësishme dhe që, në momente të ndryshme, janë përfshirë në zhvillime që lidhen me emrin e biznesmenit Ergys Agasi.