Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj SPAK dhe qeverisë lidhur me hetimin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë dhe sekretariateve të Partisë Demokratike, Berisha u ndal te mënyra se si është klasifikuar nga prokuroria roli i Hysenit në dosjen që lidhet me Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe persona të tjerë nën hetim.
Berisha tha se Hyseni nuk është cilësuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, pavarësisht se, sipas tij, ndaj saj rëndojnë dyshime për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe ndihmë ndaj një personi të përfshirë në aktivitet kriminal.
“Prokuroria e partisë nuk e cilëson atë anëtare të grupit të strukturuar kriminal. Lexoni akuzën. Nxjerrje sekreti shtetëror dhe ndihmë të një krimineli”, deklaroi Berisha.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, ish-kryeministri ia kushtoi komunikimeve që, sipas tij, Hyseni ka pasur me Ergys Agasin gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim.
Berisha pretendoi se nga dita e arrestimit të Agasit deri në momentin kur u lëshua urdhër-arresti për Hysenin janë regjistruar rreth 510 komunikime mes tyre.
“E dini ju se që nga dita e arrestimit të Ergys Agasit gjer në ditën e lëshimit të urdhërarrestit për Vlora Hysenin kanë 510 komunikime. Në 45 ditë ata kanë mbi 10 komunikime çdo ditë”, tha Berisha.
Sipas tij, ky numër komunikimesh ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është përcaktuar roli i Hysenit në dosje.
Berisha e lidhi çështjen edhe me personat e tjerë të hetuar, duke përmendur Ermal Beqirin dhe Linda Karçanajn. Ai pretendoi se Hyseni nuk duhet të trajtohet si një episod i shkëputur nga pjesa tjetër e dosjes.
“Çfarë bashkëpunimi do të jesh anëtar i këtij grupi, se sa t’i tregosh sekretet shtetërore njërit prej kryesorëve të grupit?”, u shpreh kreu i PD-së.
Në vijim, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të distancohet nga çështja, duke pretenduar se personat e përfshirë kanë vepruar me porosi të tij.
Ai e cilësoi rastin e Hysenit si veçanërisht të rëndë, duke argumentuar se dyshimet nuk lidhen vetëm me korrupsionin, por edhe me informacionet e klasifikuara dhe sigurinë kombëtare.
Berisha e krahasoi këtë çështje me dosjen e Belinda Ballukut, duke thënë se, ndërsa në rastin e ish-zëvendëskryeministres bëhet fjalë për akuza për korrupsion, në rastin e Hysenit pretendimet lidhen me nxjerrjen e sekreteve shtetërore dhe dhënien e informacionit te persona nën hetim.














