Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar për zhvillimet e fundit në hetimin e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila është nën hetim në kuadër të dosjes që lidhet me Ergys Agasin.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Salianji ka akuzuar qeverinë se ka lejuar, sipas tij, depërtimin e krimit të organizuar në institucionet shtetërore.
“Shteti i Ramës i ka ulur pantallonat përballë krimit të organizuar!”, shkruan Salianji, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të dalin në protesta.
Sipas ish-deputetit demokrat, institucionet më të rëndësishme të shtetit ose janë ndikuar nga grupe kriminale, ose janë kthyer në struktura që nuk i shërbejnë më qytetarëve.
Salianji shprehet se situata nuk mund të zgjidhet nga institucionet që ai i konsideron të kapura dhe kërkon mobilizimin qytetar për ndryshimin e tyre.
“Ky nuk është më një shtet që lufton krimin, por një shtet që është në dorën e gysrave”, deklaron ai.
Më tej, Salianji e lidh situatën me pushtetin e kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se institucionet janë përdorur si mburojë për interesat e qeverisë.
“Krimi i organizuar ka depërtuar në institucionet që duhet ta luftonin atë, ndërsa pushteti i Ramës i ka kthyer institucionet në mburojë të interesave të tij”, shkruan ai.
Në përfundim të reagimit, Salianji u bën thirrje qytetarëve që të vijojnë protestat dhe shprehet se ndryshimi, sipas tij, duhet të vijë përmes presionit qytetar.
“Shtetin duhet ta çlirojnë qytetarët!”, përfundon ish-deputeti i PD-së.














