Bordi i Paqes pritet të prezantojë sot një plan gjashtëmujor me vlerë 2.45 miliardë dollarë për rimëkëmbjen e Gazës pas luftës, sipas një raportimi të Axios.
Plani përfshin 66 projekte dhe është hartuar pas një viti pune nga dhjetëra përfaqësues të Bordit të Paqes, i cili ka 28 anëtarë, në bashkëpunim me qeverinë teknokrate palestineze.
Sipas propozimit, fondet do të përdoren për një sërë ndërhyrjesh urgjente dhe afatshkurtra, përfshirë ndërtimin e strehimeve të përkohshme, pastrimin e rrënojave, riparimin e spitaleve dhe mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike.
Një pjesë e planit parashikon gjithashtu vendosjen e një force shumëkombëshe të sigurisë, në kuadër të përpjekjeve për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë periudhës së tranzicionit.
“Plani tregon se si të ngrihet një qeveri nga hiçi, një ekonomi nga rrëmuja dhe një territor nga katastrofa”, tha një zyrtar i Bordit të Paqes, sipas Axios.
Bordi i Paqes u krijua në janar si pjesë e planit më të gjerë të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, ku Trump shërben si kryetar i këtij institucioni.
Iniciativa mbështetet në Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ka si mision mbikëqyrjen e procesit të tranzicionit në Gaza, duke përfshirë çështjet e qeverisjes, sigurisë dhe rindërtimit.
Plani gjashtëmujor synon të adresojë nevojat më urgjente të territorit dhe të krijojë bazat për një proces më të gjerë rimëkëmbjeje dhe rindërtimi pas luftës.


