Ish-producenti i njohur i Hollywood-it, Harvey Weinstein, është dënuar me 15 vite burg, pasi një juri e shpalli fajtor për kryerjen e një akti seksual kriminal ndaj ish-asistentes së tij, Miriam Haley.
Në një deklaratë të paraqitur në gjykatë lidhur me ndikimin që ngjarja pati tek ajo, Haley tha se sulmi kishte pasur një “efekt shkatërrues në jetën dhe ndjenjën time të sigurisë, i cili mund të mos largohet kurrë”.
Weinstein u paraqit në gjykatë në një karrige me rrota. Ai ka mohuar akuzat, ndërsa gjatë seancës kërkoi falje ndaj “kujtdo që mund të kem lënduar me veprimet e mia”.
Ish-producenti ka kaluar tashmë gjashtë vite në burg, ndërsa proceset gjyqësore ndaj tij kanë vijuar prej vitesh. Ai po ashtu ka një dënim të veçantë për krime seksuale në Los Angeles.
Në Nju Jork, Weinstein është përballur me tre procese gjyqësore lidhur me akuza për përdhunim dhe abuzim seksual.
Fillimisht, ai u shpall fajtor dhe u dënua në vitin 2020 në çështjen që lidhej me Miriam Haley. Megjithatë, në vitin 2024, gjykata më e lartë e Nju Jorkut e anuloi dënimin, duke argumentuar se Weinstein nuk kishte pasur një proces të drejtë. Çështja u rikthye për rigjykim dhe vitin e kaluar ai u shpall sërish fajtor për sulmin ndaj Haley.
Në procesin e vitit 2020 dëshmuan tre gra: Miriam Haley, aktorja Jessica Mann dhe modelja Kaja Sokola.
Haley dëshmoi se Weinstein e kishte sulmuar në një apartament në Manhattan në vitin 2006. Pas dëshmisë dhe shqyrtimit të provave, juria e shpalli fajtor për akuzën që lidhej me të.


