Një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Shpëtim Aliu, i njohur edhe me aliasin Salvatore, është arrestuar në Rusi, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Interpol Tirana.
Aliu, 51 vjeç, është konsideruar nga SPAK si një prej figurave kyçe të një rrjeti të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës. Arrestimi i tij është kryer me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Operacioni, i koduar “The Wanted”, është zhvilluar në dy faza, në bashkëpunim me strukturat homologe të Interpolit në Rusi dhe Itali. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit operacional, janë arrestuar dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht për veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe kalimit të paligjshëm të emigrantëve.
Për Shpëtim Aliun, në qershor të vitit 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Personi i dytë i arrestuar në kuadër të operacionit është 47-vjeçari Alok Mittra, i cili u kap në Itali. Ai është dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Posaçme me 15 vite burgim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Mittra dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që gjatë viteve 2023-2024 organizoi kalimin e paligjshëm të kufirit për rreth 253 shtetas nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.
Nga hetimet është zbuluar se shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri nga Dubai dhe pajiseshin me kontrata pune fiktive, me qëllim sigurimin e lejeve të qëndrimit. Pas pajisjes me dokumentacionin përkatës, ata tentonin të udhëtonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Arrestimet në Rusi dhe Itali janë kryer në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar të Interpol Tiranës, ndërsa procedurat për ekstradimin e dy personave drejt Shqipërisë vijojnë sipas legjislacionit përkatës.


