
Të përlotur dhe të zemëruar, mijëra shqiptarë etnikë kanë zhvilluar protesta të rregullta në Prishtinë që kur një trup gjykues me gjyqtarë ndërkombëtarë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënoi javën e kaluar për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.
Këtu, në kryeqytetin e Kosovës, vendimi shihet gjerësisht si një padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të cilët gjatë luftës së viteve 1998–1999 luftuan kundër shtypjes dhe spastrimit etnik, si dhe për vetëvendosjen dhe vlerat demokratike.
“Sot, të rinjtë e Kosovës jetojnë në një shtet të lirë, të pavarur, demokratik dhe multietnik”, deklaroi Donard Humolli, përfaqësues i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, gjatë një marshimi të zhvilluar të hënën nga studentët e universiteteve publike.
Zyra e Prokuroti të Specializuar në Dhomat e Specializuara ka këmbëngulur se në gjyq ishin individët dhe jo UÇK-ja apo lufta e saj. Por shumë shqiptarë të Kosovës nuk e shohin kështu këtë çështje.
Ndërsa protestuesit brohorisnin “UÇK!” në një tubim të dielën, Çlirimtar Haziri, një nga organizatorët, këmbënguli se katër të pandehurit “nuk janë atje si individë – për ne, atje, në Hagë, po gjykohet një pjesë e historisë sonë, e luftës sonë”.
Haziri tha se protestat do të vazhdojnë derisa të jepet një vendim pafajësie në apel. Ai tha se protestuesit po kërkojnë gjithashtu ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës – baza ligjore mbi të cilën ekziston gjykata – dhe po i bëjnë thirrje qeverisë të vazhdojë mbështetjen e saj financiare për katër të pandehurit gjatë procesit të apelimit.
Kërkesa për ta “sjellë gjyqin në Kosovë”


Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi u dënuan përkatësisht me 25, 25, 18 dhe 13 vjet burg. Ata u shpallën fajtorë për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, të kryera nga prilli i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999, në Kosovë dhe në dy lokacione në Shqipëri. Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Të hënën, grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK – partia që shihet gjerësisht si e dalë nga UÇK-ja dhe që në të kaluarën është drejtuar si nga Thaçi, ashtu edhe nga Veseli – njoftoi se po ndërmerrte një nismë për ndryshimin e ligjit mbi të cilin bazohet gjykata.
PDK-ja propozoi që procedurat gjyqësore të vazhdojnë deri në përfundimin e fazës së apelimit. Megjithatë, nëse çështja dërgohet për rigjykim, ajo nuk duhet të nisë nga e para në Hagë, por në Kosovë.
Në rast të një rigjykimi të mundshëm, “zbatohet juridiksion i ri dhe, pasi të plotësohen kushtet, çështja do të transferohet në Kosovë për procedim”, u tha mediave të hënën kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
Ai argumentoi se protestat nuk mund të shpërfillen, duke thënë se “Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës”.
Nuk është ende e qartë se sa mbështetje do të marrë propozimi i PDK-së. Por zemërimi për vendimin ndahet edhe nga partia në pushtet, Vetëvendosje. Kryeministri Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, shkroi të hënën në X se konstatimet e gjykatës “u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel”.
Dhomat e Specializuara u themeluan në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, nën presionin e aleatëve perëndimorë të Prishtinës. Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ndodhet në Holandë dhe përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtarë, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar ndërhyrjet te dëshmitarët gjatë gjyqeve. Thaçi ishte një nga politikanët që mbështetën themelimin e gjykatës, duke thënë se ajo do të provonte se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.
Ish-Avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari, tha për BIRN të premten se ndryshimi i rregullave për emërimin dhe mbikëqyrjen e gjyqtarëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të ishte i dobishëm për garantimin e një gjykimi të drejtë. Por Jashari paralajmëroi se kërkesat për shfuqizimin e plotë të ligjit për gjykatën nuk do të ishin rruga e duhur përpara.
“Kam dëgjuar kohët e fundit se zgjidhja e vetme është shfuqizimi i ligjit që rregullon Dhomat e Specializuara; më pas dëgjohen propozime që presidenti duhet t’i falë individët e dënuar, por, duke folur praktikisht, ndërmarrja e një nisme të tillë është e pamundur nga pikëpamja ligjore dhe juridike”, tha Jashari për programin televiziv Kallxo Përnime të BIRN-it dhe Interneës Kosova-s të premten.
Edward P. Joseph, pedagog në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington, D.C., tha për Kallxo Përnime se zemërimi ndaj gjykatës në Kosovë është i kuptueshëm – veçanërisht pasi vendimi vjen menjëherë pas varrimit me nderime ushtarake në Beograd të gjeneralit serb të Bosnjës gjatë luftës, Ratko Mlladiç, i cili ishte dënuar për gjenocid.
“Si rrjedhojë, ky vendim u duket serbëve në Beograd si një lloj shfajësimi ose faljeje, ndërsa hedh një hije mbi realitetet e viteve ’90 në Kosovë. Për këtë arsye, e konsideroj shumë shqetësues”, tha Joseph, duke pretenduar se Serbia dhe mbështetësit e saj në Rusi dhe Kinë do ta shfrytëzonin vendimin për të përhapur narrativat e tyre.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, e ka mirëpritur vendimin fajësues pikërisht në këtë mënyrë, duke thënë se ai përbën një “konfirmim të qartë, ndonëse shumë të vonuar, të asaj që Serbia dhe populli serb kanë thënë me zë të lartë për më shumë se një çerek shekulli – se e ashtuquajtura UÇK ishte një organizatë kriminale dhe terroriste”.
Ndërkohë, të hënën në mbrëmje në Prishtinë, protestuesit u mblodhën sërish në sheshin kryesor, të vendosur që mesazhi i tyre të dëgjohet.





