
Një përkim datash ka rikthyer në vëmendje lidhjen mes Ergys Agasit dhe ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, të cilët sot ndodhen në të njëjtën dosje hetimore të SPAK për AKSHI-n.
Më 15 mars 2023, Agasi themeloi kompaninë “EA Solution”, me kapital fillestar 1 mijë lekë dhe me objekt veprimtarie në fushën e teknologjisë së informacionit, përfshirë software, rrjete, telekomunikacion, siguri dhe GIS. Dy ditë më vonë, më 17 mars, kryeministri Edi Rama njoftoi se i kishte propozuar Presidentit Bajram Begaj emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it. Dekreti u firmos më 3 prill.
“EA Solution” pati një rritje të shpejtë financiare. Sipas të dhënave të publikuara, në vitin e parë kompania deklaroi 242.4 milionë lekë të ardhura dhe 232.1 milionë lekë fitim para tatimit. Sipas materialeve të referuara nga hetimi, në vitet pasuese ajo përfitoi pagesa të konsiderueshme nga kompani të lidhura me kontrata publike në sektorin e teknologjisë. SPAK dyshon se një pjesë e këtyre pagesave mund të mos kenë qenë për shërbime reale, por kjo mbetet objekt hetimi.
Në atë periudhë, Hyseni nuk ishte e re në strukturat qeveritare shqiptare. Pas largimit nga inteligjenca e Kosovës në vitin 2021, ajo kishte kaluar në Tiranë si këshilltare e kryeministrit për Sigurinë Kombëtare dhe e mbajti këtë rol deri në emërimin në krye të SHISH-it.
Tre vite më vonë, Hyseni është vendosur në “arrest shtëpie” dhe është pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së, në kuadër të hetimit të SPAK që lidhet me dosjen e AKSHI-t. Ajo është nën hetim për vepra që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit. Hetimi lidhet edhe me Ergys Agasin, i cili ishte shpallur në kërkim dhe më pas u arrestua.
Përkimi mes 15 marsit, kur u krijua “EA Solution”, dhe 17 marsit, kur u bë publik propozimi për Hysenin në krye të SHISH-it, ngre pyetje mbi kronologjinë e ngjarjeve. Pikërisht natyra e marrëdhënies mes Hysenit dhe Agasit është sot pjesë e hetimit.