Policia e Fierit ka arrestuar dy autorët e zjarreve që përfshinë fshatrat Ade dhe Kanisht në Fier. Policia bën me dije se ka proceduar penalisht edhe 35-vjeçarin e dyshuar si autor i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Drizë.
Si pasojë e tre zjarreve që përfshin tre fshatrat e Fierit, janë dëmtuar sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte.
Ndërsa nga flakët e përhapura në fshatin Drizë, u rrezikuan banesa dhe disa objekte të tjera që ndodheshin në këtë zonë.
Njoftimi i policisë:
Fier/Ndezën zjarre që shkaktuan dëme në toka bujqësore dhe ullishte, identifikohen 3 shtetas.
Arrestohen 2 prej tyre, tjetri procedohet në gjendje të lirë.
Pas marrjes së njoftimeve për disa vatra zjarri në territorin e qarkut Fier, strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, bënë të mundur identifikimin e 3 shtetasve të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan 2 prej tyre, shtetasit:
-P. Z., 66 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Ade, Fier;
-D. K., 62 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Kashisht, Fier.
Shtetasi D. M., 35 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë, si autor i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Drizë, Fier.
Nga hetimet dyshohet se nga përhapja e zjarreve që kanë ndezur këta shtetas janë dëmtuar sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte, si dhe është krijuar rrezik për banesat dhe objektet pranë zonave të përfshira nga zjarri, kryesisht në Drizë dhe në zonën e Apolonisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
