Skandali me shefen e SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila akuzohet për nxjerrjen e sekreteve shtetërore si dhe përkrahje të biznesmenit Ergys Agasi, ka shkaktuar dhjetëra reagime nga figura të njohura të politikës, në mesin e të cilave spikat dhe Ervin Salianji.
I irrituar nga skandali i ndodhur në një nga institucionet më të rëndësishme shtetërore, ish deputeti i PD-së shkruan se qeveria e Edi Ramës i ka ulur pantallonat përballë krimit të organizuar. Më tej Salianji u bën thirrje qytetarëve që të vërshojnë në sheshe për të çliruar institucionet shtetërore nga gjendja aktuale të cilën ai e cilëson si llum, ndërsa shton se shteti është në dorën e gysrave.
“Shteti i Ramës i ka ulur pantallonat përballë krimit të organizuar! Qytetarët duhet të vërshojnë në sheshe për të çliruar institucionet nga llumi!
Institucionet më të rëndësishme shtetërore janë faktuar që janë ose emërime të bandave, ose nën influencën e bandave dhe nuk i shërbejnë më shtetit e qytetarëve!
Ky nuk është më një shtet që lufton krimin, por një shtet që është në dorën e gysrave! Krimi i organizuar ka depërtuar në institucionet që duhet ta luftonin atë, ndërsa pushteti i Ramës i ka kthyer institucionet në mburojë të interesave të tij. Përballë kësaj kapjeje të shtetit e vetmja rrugë e mbetur janë qytetarët në shesh, në rrugë dhe në institucione për të shkulur me rrënjë llumin që ka mbuluar gjithë ngrehinën kriminale të Ramës!
Të mos presim më që shteti i kapur të çlirojë vetveten. Shtetin duhet ta çlirojnë qytetarët!
Ky vend nuk është pronë e Ramës, as e bandave dhe as e pushtetit të tyre.
Është koha për t’ua marrë Shqipërinë nga duart atyre që e kanë kthyer shtetin në instrument të krimit dhe pushtetin në mburojë të tyre!”, shkruan Ervin Salianji.
