Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka vendosur që të bëjë ndryshime të tjera në hierarkinë drejtuese në disa Komisariate.
Mësohet se me urdhër të Hitës, Dritan Lena, i cili mbante postin e Shef Sektori të Planifikimit Operacional në Drejtorinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë, është transferuar dhe emëruar si Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Po ashtu kryepolici ka vendosur që Shefi i Komisariatit të Policisë Tropojë, Saimir Shkambaj, të emërohet Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë. Ndërsa Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Komisar Feliks Hoda, është transferuar si Shef Komisariatit të Policisë Dibër.
Gjithashtu Andi Kano, nga Shef i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, është komanduar si Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë.
Këto lëvizje vijnë pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Sarandë, por edhe me ndryshimin e drejtuesve të policisë në Komisariatet vendore.
