Digjet një banesë e braktisur në fshatin Golem, shpëtohen dy shtëpi të tjera

Një banesë e braktisur është përfshirë nga flakët ditën e sotme në fshatin Golem, në Njësinë Administrative Picar, Gjirokastër. Zjarri rrezikoi edhe dy banesa të tjera pranë saj.
Pas njoftimit nga banorët e zonës, në vendngjarje u nisën dy automjete zjarrfikëse së bashku me grupet e ndërhyrjes.
Me mbërritjen në fshatin Golem, zjarrfikësit konstatuan se flakët kishin përfshirë një banesë të pabanuar, ndërsa ekzistonte rreziku që zjarri të përhapej edhe në dy shtëpitë përreth.
Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit, duke parandaluar përhapjen e flakëve në banesat e tjera.
Nga zjarri është dëmtuar çatia e banesës së braktisur, e mbuluar me llamarinë. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale.
Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.




