E mërkurë, 23 Shtator 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

BSH: Kujdes me kreditë e këqija, bankat të rrezikuara edhe nga sulmet kibernetike

Kujdes me kreditë për shtëpi, dhe nga sulmet kibernetike. Banka e Shqipërisë thekson se, ndonëse sistemi financiar paraqitet i konsoliduar në gjysmën e parë të vitit, nuk duhet neglizhuar rreziku që lidhet me kreditimin për banesat, si dhe kërcënimet që vijnë përmes rrugëve kibernetike.

“Për sa i përket tregut të brendshëm, kemi në njëfarë mënyre kujdes të ekspozimit të sektorit bankar ndaj pasurive të paluajtshme. Bankat gjithashtu evidentojnë si rrezik të mundshëm ekspozimin ndaj sulmeve kibernetike. Megjithatë, gjithçka është e kontrolluar. Cilësia e kredisë në fund të gjashtëmujorit ishte 3.6% për kreditë me probleme”, tha Klodian Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar.

Megjithë luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe luftën e tarifave të presidentit Trump, të cilat kanë ndikuar në bursat botërore, Banka e Shqipërisë thekson se deri tani sistemi financiar e ka përballuar mjaft mirë këtë situatë.

“Në përgjithësi, rreziqet ndaj të cilave ekspozohet veprimtaria e sektorit bankar paraqiten në nivele të kontrolluara. Rreziqet lidhen me zhvillimet ndërkombëtare dhe ato janë të pasigurta, që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe tregtare. Megjithatë, performanca e ekonomisë shqiptare ka qenë e mirë, pavarësisht këtyre zhvillimeve.”

Reklamë

Në periudhën janar-qershor, bankat zgjeruan fitimet e tyre, por me një normë më të ulët krahasuar me periudhat e kaluara.

“Kjo rritje bazohet më shumë te depozitat, të cilat janë përdorur për investime në kredi dhe tituj qeveritarë. Kreditimi është rritur me gati 14% në terma vjetorë dhe rritja ka qenë e mirë si për individët, ashtu edhe për bizneset. Rritja e kredisë ka ardhur kryesisht në lekë. Aktiviteti ka rezultuar me fitim, ndonëse ritmi i fitimeve ka ardhur në rënie krahasuar me periudhat e mëparshme.”

Për sa i përket kursit të këmbimit, situata deri më tani paraqitet nën kontroll, ndërsa Banka e Shqipërisë thekson se forcimi i lekut ka ndihmuar në zbutjen e rritjes së çmimeve.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.