“Rama të dorëhiqet menjëherë”, Berisha: Kryeministri, përgjegjës për dorëzimin e shtetit tek bandat
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij është përgjegjës për dorëzimin e institucioneve të sigurisë në duart e bandave kriminale.
Gjatë mbledhjes me deputetët demokratë, Berisha deklaroi se është Edi Rama njeriu që ka vendosur në funksion të karteleve të drogës dhe mafies, Shërbimin Informativ Kombëtar, kreun e këtij shërbimi, Vlora Hysenin, duke theksuar se në seancën e së enjtes debati duhet të fokusohet vetëm tek kjo çështje.
“Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit si akt i vetëm dhe i domosdoshëm. Parlamenti, këtë çështje, do ta ketë çështjen më kryesore.”
Berisha shfrytëzoi pjesë nga dosja e SPAK-ut për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hysenin, për të deklaruar se persona të akuzuar për krim të organizuar, si Ergys Agasi, përcaktonin krerët më të lartë të shtetit.
“A e lexuat ju aty planin për të hequr Nikon edhe për të vënë Taulantin? Kur ia thashë atij, ai është pallavesh, kur ia thashë atij që po të heqin, ai tha e ke nga inati, do më fusësh sherre mua këtu. A e patë? I bënte Gysi planet se kush duhet të jetë kryetar parlamenti, duhet të jetë Tao.”
Sipas Berishës, kjo çështje nuk mund të trajtohet si një histori dashurie.
“Përpiqet ta paraqesë sot me ca transkripte si një aferë dashurie (love affair). E vërteta është se Vlora Hyseni çdo hap, çdo vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës. Lexoni transkriptin, pres nesër nga Skënderi se mos ka ndonjë porosi nga kryeministri. Kryeministri, porositë Skënderit do ia jepte për Agasin. Për gjë tjetër nuk ka pse merrte shefja e shërbimit porosi nga Skënderi.”
Në këtë situatë, mbledhja e Parlamentit nesër pritet të jetë e tensionuar, pasi opozita do të këmbëngulë që të diskutohen akuzat e SPAK për Vlora Hysenin dhe përgjegjësitë që sipas tyre ka kryeministri.




