web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Korridori Adriatiko-Jonian/ Karakaçi: Në fillim të 2027 nis ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit

23 Shtator 2026, 16:11, Aktualitet CNA

Korridori Adriatiko-Jonian/ Karakaçi: Në fillim të 2027 nis

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka marrë pjesë në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm që është zhvilluar në Kinë. Përmes një video të postuar në rrjetet sociale, ministri ka ndarë dhe detaje nga fjalimi i tij në Forum.

Karakaçi shprehet se sa i përket Korridorit VIII, është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit, ndërsa vijon puna për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë.

Në lidhje me Korridorin Adriatiko-Jonian, ministri tha se gara për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit është në fazën përmbyllëse. Ai shton më tej se ky investim që kap vlerën e rreth 360 milionë eurove pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit të ardhshëm.

Ministri ka folur edhe për autostradën Milot-Balldren dhe projektin teknik përfundimtar, ku tha se vazhdon puna për finalizimin e kontratës. Ndërsa u shpreh se ka konstatuar paqartësi për projektin, ai bëri me dije se dokumentet e tij do të jenë të hapura në platformën e Besës, Flamingo Mirror, në mënyrë që kushdo të bëjë verifikimet e veta.

“Isha i ftuar nga Ministri i Transportit të Kinës në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, një nga eventet më të mëdha botërore për transportin. Mbajta fjalën gjatë këtij forumi, ku shpreha rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror global për sa i përket transportit.  Sigurisht, Shqipëria është vend i vogël, por nyje strategjike në dy korridore evropianë, Korridori VIII dhe Korridori Adriatiko-Jonian.

Për sa i përket Korridorit VIII, tashmë është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit. Ndërsa vazhdon puna me ritëm për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë. Edhe segmentet e para të bypass-it të Elbasanit tashmë janë kontraktuar dhe filluar nga puna.

Për sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, edhe këtu jemi në fazën përmbyllëse të garës për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Investim rreth 360 milionë euro që pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit 2027. Për sa i përket autostradës Adriatiko-Joniane, po punohet për studimin inxhinierik të segmentit më sfidues, Murriqan-Balldren, që po përgatitet me fonde grant nga Bashkimi Europian dhe pritet të dorëzohet në janar të vitit 2027 në ministri.

Ndërkohë vazhdojmë nga puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe projektin teknik përfundimtar.  Kam konstatuar së fundmi shumë paqartësi për këtë projekt. Për të pasur transparencë të plotë mbi këtë projekt shumë të rëndësishëm, të gjitha dokumentet e këtij projekti do të jenë të hapura në platformën e Besës, Flamingo Mirror, në mënyrë që kushdo që ka interes të bëjë verifikimet e veta.

Vazhdojmë ditën e sotme me takime me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, nisje e një marrëdhënie bashkëpunimi studimore në fushën e ujësjellës-kanalizimeve me këtë qendër ekselence në botë”, shprehet Karakaçi. /CNA





Lajmet e fundit nga