web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Spaho: Më shumë se Ramës, skandali i Vlora Hysenit i ka ngelur në derë opozitës

23 Shtator 2026, 20:19, Politikë CNA

Spaho: Më shumë se Ramës, skandali i Vlora Hysenit i ka ngelur

Ish-nënkryetari dhe deputeti i PD-së, Edmond Spaho, është shprehur në një reagim në rrjetet sociale se zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë sa e kalbur është kjo mazhorancë dhe se çfarë shteti ka ngritur.

Spaho shkruan se skandali i SHISH-it duhet të ngrejë këmbanat e alarmit për rendin dhe sigurinë në vend. Sipas tij, në çdo shtet kjo ngjarje do të kishte shkaktuar tërmet politik, por në Shqipëri prodhohet vetëm zhurmë, pjesën më të madhe të së cilës e shkakton opozita.

Ai shton se sot u mblodh pjesa më politike e opozitës dhe në fund të mbledhjes nuk u vendos asgjë. Spaho thotë më tej se konstatimet e sotme të opozitës për kryeministrin Edi Rama tregojnë sa i pafuqishëm është ndikimi i saj në skenën politike.

Reagimi i plotë:

Më shumë se Ramës, skandali i Hysenit i ka ngelur në derë opozitës.

Zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë sa e kalbur është kjo mazhorancë dhe çfarë shteti qesharak ka ngritur.

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, deri para pak muajsh, dalin të lidhur me përfaqësues të krimit në mënyrën më të paimagjinueshme.

Kjo ngjarje vërtet duhet të ngrejë këmbanat e alarmit për rendin dhe sigurinë në vend, por duhet të na bëjë t’i vëmë gishtin kokës dhe të pyesim se si dy funksionarët më të rëndësishëm të vendit bien në rrjetat e krimit në mënyrë kaq banale. Si është e mundur që drejtuesit t’ua shesin institucionet e tyre kaq shpejt, kaq lehtë dhe për kaq pak?

Në cilindo shtet, kjo ngjarje do të kishte shkaktuar tërmet politik. Në Shqipëri prodhon vetëm zhurmë.

Zhurmën më të madhe e shkakton opozita. Zyrtarët e saj vazhdojnë të komentojnë ngjarjen sikur të jenë gazetarë portalesh. Na informojnë që Vlora Hyseni takohej me Ergys Agasin në lokalin e Jurgen Kolës.

Sot u mblodh pjesa më politike e opozitës: kryesia, sekretariati dhe grupi parlamentar. Pas kësaj mbledhjeje u vendos që në ditët e ardhshme opozita do të bëjë një vrimë në ujë.

Në të vërtetë, do të ishte iluzion të prisje më shumë nga kjo opozitë, me udhëheqje të diskredituar, e paaftë të zgjojë zemërimin e qytetarit, e paaftë të nxjerrë më shumë se disa qindra veta dhe e përzënë nga sheshi i protestës.

Konstatimi i opozitës se Rama bën çdo gjë për të ruajtur karrigen e tij, se e ka vendin në qeli, dhe vendimi për të vazhduar “betejën” në Parlament, tregojnë sa e pafuqishme është ajo për të ndikuar sadopak në skenën politike, edhe kur në vend ndodhin skandale me përmasa të tilla.

Mendimi tashmë i konsoliduar se opozita mban Ramën në pushtet, sepse është e diskredituar, e paaftë dhe e painteresuar ta rrëzojë ngrehinën e tij, tregon se, më shumë se skandali i djeshëm, ne duhet të na shqetësojë gjendja në kampin opozitar, ku është mbytur çdo shpresë që shoqëria jonë mund të ndryshojë për mirë. /CNA





Lajmet e fundit nga