Policia e Shtetit ka dalë me reagim zyrtar në lidhje me arrestimin e trafikantit të shumëkërkuar të SPAK për të cili, si dhe raportuam, thekson se Shpëtim Aliu është vënë në pranga në Rusi ndërsa pritet që të esktradohet drejt Shqipërisë.
“Shpëtim Aliu, 51 vjeç, i kapur në Rusi. Për të, në qershor të vitit 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”” shkruhet në njoftimin e bërë nga Policia e Shtetit.
Po ashtu, blutë e Shqipërisë sqarojnë se falë Operacioni të koduar “The Wanted” i cili u zhvillua në dy faza, si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit operacional mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe strukturave partnere ndërkombëtare, janë vënë në pranga dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht për veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe kalimit të paligjshëm të emigrantëve.
Njëri prej tyre është trafikanti i shumëkërkuar i drejtësisë shqiptare, Shpëtim Aliu, për të cilin GJKKO ka caktuar “arrest me burg” për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Po ashtu bëhet me dije se në pranga është vënë dhe shtetasi Alok Mittra, 47 vjeç, i cili rezulton se në vitin 2024 GJKKO e ka dënuar me 15 vite burgim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, 47-vjeçari Alok Mittra i cili u prangos në Itali, dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që gjatë viteve 2023-2024 organizoi kalimin e paligjshëm të kufirit për rreth 253 shtetas nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, gjatë këtyre 2 fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:
-S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
-Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare. Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qendrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.
Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri.

