
Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Ekuadorit ka çuar në arrestimin e 8 personave, të dyshuar se kanë favorizuar narkotrafikantin shqiptar Dritan Rexhepi Haxhiu.
Mediat vendase shkruajnë se, në mesin e të arrestuarve janë 7 mjekë dhe një zyrtar i Shërbimit Kombëtar të Kujdesit Gjithëpërfshirës për Personat e Privuar nga Liria (SNAI). Disa prej mjekëve kanë punuar më parë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas hetimeve të autoriteteve ekuadoriane, grupi dyshohet se përdorte dokumente të falsifikuara dhe certifikata mjekësore të parregullta për të krijuar prova se Rexhepi po përmbushte detyrimet e vendosura nga drejtësia, edhe pse ai ishte larguar nga Ekuadori.
Hetuesit dyshojnë se në skemë është përdorur edhe një gjurmë gishti e riprodhuar në lateks, me qëllim simulimin e pranisë së Rexhepit.
Operacioni përfshiu 11 kontrolle të njëkohshme në Guayaquil, Quito dhe Morona Santiago.
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, bëri të ditur se personat e arrestuar po hetohen për disa vepra penale, përfshirë krimin e organizuar, mashtrimin procedural, zëvendësimin e identitetit, falsifikimin, përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe dëshminë e rreme.
Dritan Rexhepi është dënuar në Ekuador me 13 vite burg për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës. Hetimet në Ekuador po vijojnë për të zbardhur të gjithë mekanizmin e dyshuar të favorizimit dhe rolin e secilit prej personave të arrestuar./Versus.al

