Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar në New York me zëvendës-ndihmës Sekretarin për Evropën Perëndimore, Qendrore dhe Jugore, Daniel Lawton.
Takimi u fokusua në mundësitë për të forcuar më tej partneritetin strategjik SHBA-Shqipëri, si dhe në rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm e të ngushtë për prioritetet e përbashkëta.
Sipas ministrit të Jashtëm, partneriteti mes dy vendeve mbetet shtyllë e rëndësishme edhe e angazhimit të përbashkët si aleatë në NATO.
"Një partneritet i fortë Shqipëri-SHBA mbetet një shtyllë e rëndësishme e angazhimit tonë, përfshirë edhe si aleatë të NATO-s, për një rajon më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të begatë", shkroi Hoxha në X.
Postimi i plotë:
Nju Jork – Gjithmonë kënaqësi të takohem me miq dhe kolegë amerikanë.
Një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Artemis, zhvillova një diskutim produktiv me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin për Evropën Perëndimore, Qendrore dhe Jugore, Daniel Lawton.
Diskutuam mbi mundësitë për të forcuar më tej partneritetin tonë strategjik, situatën dhe dinamikat aktuale në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm e të ngushtë për prioritetet e përbashkëta.
Një partneritet i fortë Shqipëri-SHBA mbetet një shtyllë e rëndësishme e angazhimit tonë, përfshirë edhe si aleatë të NATO-s, për një rajon më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të begatë.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, kërkoi në Nju Jork që t’i jepet përparësi kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut. Sipas tij, përfshirja e Kosovës do të forconte bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për përballimin e kërcënimeve të sigurisë.
Hoxha e ngriti këtë çështje gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, të zhvilluar nën kryesimin e Kroacisë. Ai tha se kërkesa e Kosovës ka mbetur në pritje prej një kohe tepër të gjatë.
“Kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka mbetur në pritje prej shumë kohësh. Përparimi në këtë çështje do të forconte bashkëpunimin në rajon dhe aftësinë tonë të përbashkët për të përballuar sfidat e sigurisë. Një Kartë e Adriatikut (A5) më e hapur, më e fortë, më gjithëpërfshirëse dhe e aftë t’u përshtatet sfidave të reja do t’i shërbente një Ballkani Perëndimor më të sigurt. Ajo mbetet e rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike”, u shpreh ministri.
Karta e Adriatikut është një mekanizëm bashkëpunimi për sigurinë rajonale dhe integrimin euroatlantik. Hoxha tha se, më shumë se dy dekada pas krijimit të saj, ajo duhet t’u përshtatet kërcënimeve të reja, si sulmet kibernetike, rreziqet për sigurinë energjetike dhe ndërhyrjet e huaja në informacion.
Sipas tij, siguria afatgjatë në Ballkanin Perëndimor kërkon që të gjitha vendet e rajonit të përfshihen në mekanizmat e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar në Nju Jork me Dame Karen Pierce, të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Në një postim në X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit diskutuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndërlidhjes mes vendeve të rajonit.
Sipas ministrit, palët shkëmbyen mendime edhe për sfidat dhe mundësitë që kanë përpara, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm mes dy vendeve në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“ Një shkëmbim i frytshëm me Dame Karen Pierce, të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Diskutuam rreth marrëdhënieve të shkëlqyera dhe në rritje të vazhdueshme midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, zhvillimeve dhe dinamikave aktuale në të gjithë Ballkanin Perëndimor, rëndësisë së bashkëpunimit dhe ndërlidhjes rajonale, si dhe angazhimit tonë të përbashkët për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në rajon. Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi sfidat dhe mundësitë që kemi përpara, si dhe mbi rëndësinë e koordinimit të ngushtë të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të një Ballkani Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më evropian.Partneriteti ynë me Mbretërinë e Bashkuar mbetet një pjesë e rëndësishme e angazhimit të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë”, shkroi Hoxha.








Komente
Komento