Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas urdhërarrestit që u lëshua ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni e dyshuar se ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë arratisë. Në mbledhjen e grupit të PD, kryedemokrati Sali Berisha e bëri përgjegjës kreun e qeverisë, duke pretenduar se Hyseni çdo vendim e ka marrë me dijeninë dhe porosinë e tij. Sipas Berishës, Rama po përpiqet që komunikimet e bëra publike mes Hysenit dhe Agasit t’i paraqesë thjesht si një “aferë dashurie”.

“Edi Rama, sapo u bë publik skandali, sepse ju duhet të jeni të sigurt se ai ka qenë i informuar, ai dhe jo vetëm ai, urdhër arresti për drejtuesen e SHISH, shërbim që funksionon në një sistem bashkëpunimi të ngushtë në kuadrin e NATO-s, shërbim që në traditën e tij, ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë më kryesorë në fushën e sigurisë, shërbim real dhe me kontribute të pamohueshme. Pra, përpiqet ta paraqesë sot me ca transkripte si një aferë dashurie (love affair). E vërteta është se Vlora Hyseni çdo hap, çdo vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës”, tha Berisha.

Hysenin e akuzon se ka thyer besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe se ka pasur synim të punojë kundër Kosovës, shtet që e kishte shkarkuar më herët nga Agjencia e Inteligjencës, me të njëjtin motiv: dyshimin për nxjerrjen e sekretit shtetëror.

“Unë ndjej keqardhje të thellë që sot ky shërbim, me një trashëgimi të pamohueshme, të çmuar në bashkëpunimin ndërkombëtar, por dhe në fushën e sigurisë bëhet objekt i një turpërimi botëror për shkak të Edi Ramës, me angazhim të madh, me të gjitha lidhjet e saj kundër qeverisë së Kosovës, por me implikime gjithashtu edhe në Maqedoni.

Qëndrimi i Hysenit është shkelmim flagranti edhe i besimit të partnerëve tanë. S’ka gjë më të turpshme, njeriu që kishte urat e bashkëpunimit me shërbimet më serioze, ishte një skllave mjerane e mafies shqiptare dhe e Ergys Agasit, e kuptoni ku katandisemi ne. Dy tre herë thoshte vlerësimet e partnerëve , i them Ramës turp të kesh, nëse këta janë pisa, ti je kryepis, nëse këta janë llum, ti je kryellum, nëse këta janë mafie, ti je padrino që bën sikur kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Ajo atje kishte gjithë sekretet e shtetit dhe NATO-s që vinin në këtë shtet”, vijoi Berisha.

Sipas Berishës, të gjitha hetimet e fundit, kanë faktuar denoncimet e tij, madje edhe paralajmërimet e bëra nga foltorja e Kuvendit: 

“A e lexuat ju aty planin për të hequr Nikon edhe për të vënë Taulantin? Kur ia thashë atij, ai është pallavesh, kur ia thashë atij që po të heqin, ai tha e ke nga inati, do më fusësh sherre mua këtu. A e patë? I bënte Gysi planet se kush duhet të jetë kryetar parlamenti, duhet të jetë Tao”, vijoi Berisha. 

Në këto kushte thotë Berisha, PD do të rishohë edhe strategjinë e saj të aksionit politik, për të bashkuar forcat me qytetarët në reagimet kundër qeverisë.

Vlora Hyseni iu dorëzua dje autoriteteve të Kosovës dhe ndaj saj është caktuar masa arrest në shtëpi, e akuzuar për “Nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”. Pasi mbërriti në Shqipëri ku edhe iu ekzekutua masa e sigurisë, presidenti Bajram Begaj dekretoi shkarkimin e saj nga drejtimi i SHISH.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:14
Berisha aludon për një tjetër zyrtar të SHISH si bashkëpunëtor të Hysenit: Zhvillonte takimet me Agasin në lokalin e tij, u fshinë pamjet

1790169318_saliberisha.jpeg

Nga mbledhja e grupit të PD, ku komentoi hetimet e SPAK për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, Sali Berisha aludoi edhe për një tjetër bashkëpunëtor mes saj dhe Ergys Agasit. Personi në fjalë, sipas Berishës, rezulton të ketë pozicion drejtues në SHISH dhe ka një lokal në Bërzhitë, ku Vlora Hyseni takohej me Ergys Agasin, por pamjet e kamerave të sigurisë sipas tij janë fshirë.

“Kjo ka pasur bashkëpunëtor të ngushtë J.K, drejtorin operativ të SHISH. J.K ka lokal në Bërzhitë dhe lokali i tij në Bërzhitë ka qenë një nga lokalet ku kjo bënte takimet me ‘bashkëpunëtorin’ e saj, Ergys Agasi. J.K është pronari i pasurive të mëdha tokë të blerë në Arbanë. Sipas informacioneve, J.K ka fshirë kamerat e lokalit të tij për të zhdukur gjurmët e takimeve të Vlora Hysenit me Ergys Agasit.

Unë u bëj thirrje hetuesve dhe prokurorëve të çështjes të kontrollojnë kamerat e këtij dhe të hetojnë bashkëpunimin e tij. Ky është një drejtor shumë i rëndësishëm aty. Se harrova t’u them se nuk ka nëndrejtor në SHISH, ndërkohë që Kushtetuta përcakton nëndrejtorin dhe me të njëjtën emërtesë kryeministri dhe presidenti. SHISH nuk ka nëndrejtor, tani mund të jetë ky më i rëndësishmi. E drejton J.K, një ushtar i Vlora Hysenit", tha Berisha. 

Redaksia e Shqiptarja.com ka vendosur të mos e publikojë emrin e plotë të personit të cilit i referohet Sali Berisha, pasi kreu i PD nuk publikoi asnjë provë që e implikonin dhe i vetmi burim është qytetari dixhital, denocime që shpesh herë kanë rezultuar shpifje.