Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas zhvillimeve të fundit që lidhen me drejtuesit e institucioneve të sigurisë dhe hetimet e drejtësisë. Këlliçi ngre akuza të forta ndaj qeverisë Rama, duke deklaruar se skandalet që kanë prekur institucionet kryesore kanë shkaktuar një krizë të thellë besimi dhe kanë dëmtuar, sipas tij, sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët.
Duke iu referuar hetimit ndaj kreut të SHISH, akuzave të ngritura në lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes dhe hetimeve që prekin institucione të tjera, Këlliçi pyet se si mund t’u besojnë qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë institucioneve shqiptare në këto kushte. Në përfundim, ai kërkon një “zgjidhje urgjente politike”, duke propozuar qeveri teknike dhe zgjedhje të reja.
Reagimi:
Kush i beson më Shqipërisë, me këtë Kryeministër, me këta drejtues?!
Me kreun e SHISH në arrest për pëkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje informacioni, me Ministrin e Mbrojtjes nën dyshime serioze dhe përgjime të bëra publike për trafik armësh dhe vegël e njeriut të punëve të pisëta, Ron Yeffet, me drejtues policie nën kontroll e hetim, me
AKSH-in grup të strukturuar kriminal, siguria jonë kombëtare nuk ka qënë kurrë kaq e shpartalluar!
Kolonat që mbajnë shtetin janë goditur rëndë dhe pa mundësi rikuperimi. Kemi të bëjmë me institucione të paralizuara.
Jo vetëm nuk përmbushen funksionet kryesore, por skandalet e inkriminimit kaq të madh, kanë shkaktuar një krizë të fortë besimi në shoqëri e më tej.
Cili qytetar mund t'i besojë më SHISH apo Policisë së Shtetit, apo autoriteteve, kur del se krerët e këtyre sektorëve i shërbejnë krimit?!
Cili partner, vend anëtar i NATO apo dhe më gjërë mund t'i besojë qeverisë shqiptare dhe Tiranës në këto kushte?!
Me kreun e Shërbimit Sekret të arrestuar, me Ministrin e Mbrojtjes të implikuar, me Edi Ramën që ka marrë, përzgjedhur e promovuar këta njerëz në këto detyra e që sot nuk mban asnjë përgjegjësi.
Dëmi është shumë i madh. Si në zhvillimet e brendshme ashtu dhe në raportet me partnerët.
Kjo qeverisje, ky Kryeministër nuk mund të vijojnë më. Duhet zgjidhje urgjente politike që Shqipëria të kthehet në shinat e normalitetit.
Qeveri teknike, zgjedhje të reja!
© SYRI.net
‘Ministri i krimit’/ I riu: SPAK të mos e lejojë Edi Ramën të bëjë një drejtësi si pazar politik! Nesër te parlamenti
Qytetarët mbyllin fjalimet, nisin marshimin nëpër Tiranë: Rama, jepe dorëheqjen!
‘Për 10 ditë Rama do ikë, fjalë burrash’/ Thirrja e nënës për të rinjtë: Mos rrini në kafe, ejani këtu