Lajmi i fundit

LIVE-Protesta e 116-të/ Shqiptarët në revoltë kundër qeverisë: Rama jep dorëheqjen

VIDEO/ Berisha: Bojkoti do ishte avantazh për Ramën, ne do i japim atij përgjigjet më të forta në parlament

19:14, 23/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë fjalës në kryesinë e PD-së, lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh se, në mbledhje e gjatë të grupit parlamentar është diskutuar për mënyrën se si, opozita do ti përgjigjet Edi Ramës.

‘Thashë edhe njëherë, ne në parlament jemi në kushte shumë të vështira, por në këto kushte ne duhet t’i japim atij po në parlament përgjigjet më të forta të mundshme që mund t’i japim.‘, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Sali Berisha:

Dhe në atë zyrë, siç pohon dhe ai vetë, janë të filmuar, të regjistruar një numër i madh ministrash, zyrtarësh të lartë, gjyqtarë, prokurorë, të cilët faleshin dhe qanin hallet tek Ergys Agasi.

Merrnin emërime dhe shkarkime sipas vendimeve të tij të përcjella.

Janë një seri skandalesh, ua them këtu dhe ju i keni parë sigurisht, që presin radhën të dalin.

Por sot më shumë se kurrë, lipset që PD, forcë kryesore politike opozitare, të ndërmarrë të gjithë përpjekjet e saj për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, për përmbysjen e këtij regjimi.

Koha fton sot çdo demokrate e demokrat, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim.

Të dashur miq, sot ne kishim një mbledhje të zgjatur të grupit parlamentar.

E vërteta është se, të drejtat themelore kushtetuese të deputetëve shkelmohen dhe nuk respektohen.

E vërteta është se, Edi Rama bën gjithçka që PD të privohet nga jeta parlamentare dhe komponenti i saj parlamentar.

Mohohen njëra pas tjetrës të drejtat më themelore kushtetuese me një qëllim të vetëm, që roli ynë, funksionet tona si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë të asgjësohen.

Në këtë kuadër, vendimi më i lehtë i kësaj partie do të ishte bojkoti i parlamentit.

Por unë kam qenë dhe mbetem i bindur, mbetem thellësisht i bindur se ky do ishte një avantazh për Edi Ramën.

Ky do përbënte një avantazh për Edi Ramën, sot i damkosur më shumë se kurrë.

Çdo njëri nga ne duhet ta ketë të qartë se ai lufton për ekzistencën e tij dhe e di që nga ajo karrige, për atë nuk ka vend tjetër përveçse në qeli me dhjetëra e dhjetëra vite burg për krimet monstruoze që ka kryer.

E them këtë për ta pasur të qartë secili nga ne se ai është i aftë për gjithçka për të ruajtur pushtetin e tij, për të ruajtur karrierën e tij.

Megjithatë, me gjithë këtë situatë shumë të vështirë në parlament, grupi parlamentar do të përshtatet, do të arrijë t’i japë përgjigjet e merituara.

Thashë edhe njëherë, ne në parlament jemi në kushte shumë të vështira, por në këto kushte ne duhet t’i japim atij po në parlament përgjigjet më të forta të mundshme që mund t’i japim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco