
Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së tregtimit në Bursën e Nju Jorkut, ku ra zilen tradicionale të hapjes.
Më pas, ajo mbajti fjalimin kryesor në samitin “IMPERIA”, një event global i zhvilluar në ambientet e bursës dhe i fokusuar te gratë në pozicione drejtuese në botën e biznesit.
Gjatë fjalimit, Melania Trump i cilësoi gratë si “forca më e madhe ekonomike e pashfrytëzuar në botë”. Ajo tha se gratë kanë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi përmes rolit të tyre si konsumatore, investitore, kujdestare dhe krijuese kapitali.
Melania Trump u bëri thirrje grave që kanë arritur pozita të rëndësishme në biznes që të mos kufizohen vetëm te mentorimi i grave të tjera.
Sipas saj, mbështetja duhet të jetë më konkrete, përmes investimeve, financimit dhe krijimit të mundësive reale për gratë që duan të zhvillojnë karrierën apo biznesin e tyre.
Mesazhi kryesor i saj ishte se gratë në pozita drejtuese mund të luajnë një rol më aktiv në fuqizimin ekonomik të grave të tjera, duke përdorur jo vetëm eksperiencën dhe këshillat, por edhe kapitalin dhe mundësitë që kanë në dispozicion.

