Salvatore Aliu, 51 vjeç, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, është arrestuar në Rusi, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar ndaj tij në qershor masën e sigurisë “arrest në burg”.
Aliu akuzohet për “trafikim të narkotikëve”, “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme e vendos Aliun në qendër të një rrjeti që dyshohet se ka trafikuar sasi të jashtëzakonshme kokaine dhe ka investuar më pas fitimet kriminale në prona, biznese dhe llogari bankare.
Sipas dokumenteve të hetimit, Aliu dyshohet se ka pasur rol kyç në trafikimin e të paktën 50 tonëve kokainë, një aktivitet kriminal nga i cili prokurorët vlerësojnë se mund të jenë gjeneruar qindra milionë euro.
Një vendim i GJKKO-së për vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e dyshuara përshkruan jo vetëm përmasat e trafikut të drogës, por edhe mekanizmat që dyshohet se janë përdorur për të fshehur origjinën e parave.
Sipas hetimit, paratë janë kamufluar përmes investimeve të dyshuara fiktive, transaksioneve pa logjikë ekonomike dhe deklarimit të fitimeve që prokurorët i konsiderojnë të paqena. Sektori i ndërtimit rezulton të ketë qenë një nga kanalet kryesore të investimit, krahas tregtisë me pakicë dhe turizmit.
Një pjesë e rëndësishme e provave mbi të cilat është ngritur hetimi vjen nga komunikimet në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, i përdorur gjerësisht nga grupet kriminale përpara se infrastruktura e tij të depërtohej dhe sekuestrohej nga autoritetet europiane.
Identifikimi i personave që fshihen pas pseudonimeve të Sky ECC është një nga hallkat më të ndërlikuara të hetimeve të tilla. Prokurorët duhet të provojnë se një llogari e caktuar i përkiste një personi konkret, duke kryqëzuar bisedat me të dhëna rrethanore – takime, udhëtime, transaksione, vende apo ngjarje të dokumentueshme jashtë komunikimeve të koduara.




