web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zelensky në Asamblenë e OKB-së: Sa më shumë liri veprimi të ketë Putin, aq më i rrezikshëm bëhet

23 Shtator 2026, 21:48, Kosova & Bota CNA

Zelensky në Asamblenë e OKB-së:  Sa më shumë liri

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Vladimir Putin është faktori kryesor që pengon përfundimin e luftës në Ukrainë.

Në fjalimin e tij, Zelensky foli fillimisht për humbjet e ushtrisë ruse dhe më pas kritikoi drejtpërdrejt presidentin rus. Sipas tij, Rusia vazhdon luftën pavarësisht humbjeve të mëdha njerëzore dhe territoriale.

“Diçka e pengon gjithmonë Putinin të pranojë se 17 milionë kilometra katrorë të territorit të tij, të njohura ndërkombëtarisht nga të gjithë ju, duhet të jenë të mjaftueshme për këtë njeri”, u shpreh Zelensky.

Ai akuzoi gjithashtu Putinin se kërkon vazhdimisht mbështetje për të zgjeruar luftën dhe për të marrë territore të tjera.

“Sa më shumë liri të ketë Putini për të vepruar, aq më i rrezikshëm bëhet bota për të gjithë të tjerët”, tha presidenti ukrainas, duke shtuar se Rusia duhet të kufizohet në aftësinë e saj për të vazhduar agresionin.

Sipas shifrave të paraqitura nga Zelensky, nga janari deri në gusht ushtria ruse ka humbur 248.964 ushtarë në fushëbetejën në Ukrainë.

“Ne kemi video që konfirmojnë secilën prej humbjeve ruse. Këto nuk janë thjesht statistika”, deklaroi ai.

Zelensky tha se, pavarësisht numrit të madh të viktimave, Rusia gjatë këtij viti ka arritur të pushtojë pak më shumë se 1.000 kilometra katrorë të territorit ukrainas, ndërsa Ukraina, sipas tij, ka çliruar tashmë një pjesë të konsiderueshme të këtyre territoreve. Gjatë fjalimi të tij, presidenti ukrainas foli edhe për mbështetjen e Koresë së Veriut ndaj Rusisë.

“Sateliti i Putinit, lideri i Koresë së Veriut, dërgoi trupat e tij në Rusi për të forcuar pikat e dobëta të ushtrisë ruse”, tha Zelensky.

Sipas tij, edhe forcat koreano-veriore kanë pësuar humbje në luftimet në kuadër të mbështetjes për Rusinë. Zelensky deklaroi se Rusia nuk e kufizon presionin e saj vetëm te Ukraina. Ai përmendi pretendimet ruse ndaj Moldavisë, si dhe kërcënimet ndaj Polonisë dhe vendeve baltike.

“Rusia ka pretendime ndaj fqinjës sonë Moldavisë. Ajo kërcënon vazhdimisht Poloninë dhe vendet baltike”, tha ai.

Sipas Zelenskyt, Moska gjithashtu nuk respekton sovranitetin e vendeve të Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore. Ai përmendi edhe Sirinë dhe Afrikën, duke i lidhur veprimet ruse në këto rajone me pasoja të rënda për popullsinë civile. Zelensky e përfundoi këtë pjesë të fjalimit duke argumentuar se lufta në Ukrainë nuk është vetëm një konflikt mes dy vendeve, por një çështje që, sipas tij, prek sigurinë ndërkombëtare. /CNA





Lajmet e fundit nga