“Një nga blerjet më të dështuara në historinë e Burnley” – Komentuesi anglez godet ashpër Armando Brojën
Armando Broja po përjeton një periudhë të vështirë te Burnley dhe kritikat ndaj sulmuesit shqiptar kanë marrë një tjetër dimension në Angli.
Komentuesi i Burnley-t, Aaron Wright, ka qenë tejet kritik ndaj paraqitjeve të Brojës, duke e cilësuar transferimin e tij si një prej blerjeve më të dështuara në historinë e klubit.
Aaron Wright: “Armando Broja është një nga dy blerjet më të dështuara në gjithë historinë e Burnley, absolutisht. Duhet ta largojmë, por pyetja është: kush do të na e marrë?”
Sipas Wright, problemet e Brojës lidhen edhe me dëmtimet e shumta dhe mungesën e vazhdimësisë, ndërsa ai pretendon se sulmuesi shqiptar po luan me një nivel të ulët vetëbesimi.
“Broja është një investim i rrezikshëm. Dëmtimet, vetëbesimi i ulët… Ka raste kur sheh ndonjë shkëndijë prej tij, kalon mbrojtësit dhe krijon hapësirë, por pasimet e fundit dhe vendimet para portës shpesh janë të gabuara”, ka deklaruar komentuesi.
Wright ka shkuar edhe më tej, duke sugjeruar se një largim nga Burnley mund të ishte zgjidhja për sulmuesin shqiptar.
“Broja duhet të largohet diku ku nuk ka asnjë presion. Duhet të shkojë atje ku të jetë sikur nuk ekziston”, është shprehur ai.
Kritikat vijnë në një moment kur Broja po has vështirësi për të siguruar minuta. Sipas statistikave zyrtare të Burnleyt, 24-vjeçari ka luajtur vetëm 137 minuta në 5 paraqitje në Championship këtë sezon, duke nisur nga minuta e parë vetëm një ndeshje dhe pa regjistruar ende gol apo asistim.
Situata e tij ishte problematike edhe sezonin e kaluar, kur Burnley zbriti nga Premier League. Broja kishte shënuar vetëm një gol në 24 paraqitje në kampionat, ndërsa klubi kishte paguar rreth 22-23 milionë euro për ta transferuar nga Chelsea.
E ardhmja e sulmuesit shqiptar mbetet e paqartë, ndërsa gjatë verës ai është lidhur me një largim nga Burnley. Lazio ishte një nga klubet e raportuara si të interesuara, ndërsa së fundmi edhe Al Jazira është përmendur si destinacion i mundshëm.




