Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e cila ndodhi disa ditë më parë në Itali, ku mbeti i vrarë një shqiptar. Një shtetas italian e qëlloi me armë zjarri, pasi dyshohet se ai kishte hyrë në banesën e tij për të grabitur. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, 20 shtator.
“Mirëmbrëma, jam Roberto Mollo. Kam pasur hajdutë në shtëpi, unë u mbrojta… njëri ka vdekur”, këto janë fjalët e para të telefonatës që një 35-vjeçar nga Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos në Itali, bëri në numrin e emergjencës 112, pasi qëlloi ndaj një grupi grabitësish që tentuan të hynin në banesën e tij.
Roberto Mollo, i cili punon si shofer kamioni, ka qëlluar 13 herë me armë zjarri ndaj personave që po tentonin një vjedhje në një shtëpi në rikonstruksion ku ai jetonte. Një prej plumbave goditi 36-vjeçarin Gjovalin Lasri, i cili humbi jetën. Telefonata e Mollo-s me 112 është bërë publike nga “Tg1”, ku dëgjohet ai duke i shpjeguar operatorit situatën.
“Kam pasur frikë, jam i dëshpëruar. Po më silleshin nëpër shtëpi. Unë jam i armatosur, u mbrojta. Tani është një person në tokë, nuk e di nëse ka vdekur. Ky person ishte i maskuar, ishte jashtë në oborr. E mbylla derën, por u tremba dhe qëllova”, tha ai.
Mediat italiane shkruajnë se 36-vjeçari Gjovalin Lasri u gjet pranë daljes së oborrit të banesës. Ai kishte veshur një kapuç, doreza dhe mbante një elektrik dore. Gjatë kontrollit, në xhepat e tij u gjet edhe një kaçavidë, ndërsa kishte me vete rreth 2 mijë euro.
Hetuesit po verifikojnë nëse paratë mund të lidhen me grabitje të tjera. Sipas dyshimeve të para, grupi që kishte vepruar në Baldissero d’Alba mund të ketë qenë pjesë e një bande grabitësish në lëvizje, të cilët udhëtojnë në zona të ndryshme dhe kryejnë disa vjedhje brenda së njëjtës natë












